Në mbështetje të rezistencës së banorëve të Vërrisë, po shkruaj 10 arsye se pse jam kundër incenerimit:
1. E para dhe ajo që ia bën muuuuuuuu: është një skemë korruptive sa një mal, e shtyrë nga ato peshkaqenët që i grijnë këto rrjetat për cironka që ka hapur Kryeprokurorja e re.
2. Së dyti, ndërtimi i i inceneratorit, do të thotë devijim në rrugë pa krye për tërë sforcot që janë bërë deri tani në menaxhimin e çështjes së mbetjeve – e cila paraqitet kështu – Shqipëria nuk do të mendojë ndonjëherë se si t`i reduktojë dhe ta bëjë ambjentin më të pastër, sepse incineratorët miliona-eurosh do të duan të hanë plehra pafund e pambarim.
3. Sipas të gjitha studimeve, incenerimi është një formë më e kushtueshme se format alternative për të trajtuar mbetjet, pasi energjia (input-i) që harxhohet për të djegur mbeturinat është më shumë se energjia dhe përfitimet ekonomike që fitohen, shto këtu që kostot janë të jashtëzakonshme pasi mbeturinat janë një vlerë publike, që kompanisë fantazëm po i jepen falas, dhe madje po i paguajmë dhe ca euro për ton me kontrata të padëgjuara.
4. Së katërti ndotja është totale, në të gjitha frontet: në ajër emetohen dioksina, furane, gazra dhe metale helmues, ndërkohë që mbetjet e mbetjeve, apo hiri siç njihet – i cili është shumë helmues – nuk ka menduar njeri se si do ta trajtojë.
5. Së pesti, në mbështetje të pikës 4, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Zoti Klosi, pohoi me gojën e vet, që ne nuk kemi kapacitete për të kryer matje të ndotjes së ajrit, dhe si mundet të japësh leje për ndërtimin e inceneratorëve, kur nuk ke asnjë kapacitet për matjen. Në tërë Europëm të dhënat i gjen online kur të duash, ndërsa tek ne e mat vetë kompania.
6. Së gjashti, e tërë procedura e vendimarrjes, shkon përkundër çdo procedure normale vendimarrjeje, pasi në rastin e Fierit (Verrisë), janë kryer 9 procedura për dy ditë, mbyllur nëpër kapanone zyrash tërësisht larg syve të komunitetit, dhe komuniteti është prezantuar me projektin vetëm në momentin që kanë ardhur fadromat, në shkelje të Konventës së Aarhusit të ratifikuar që në 2001-shin.
7. Së shtati, në kornizën e integrimit, këto janë hapa pas, pasi piramida e Direktivës së 2008-tës së Bashkimit Europian për Menaxhimin e Mbetjeve, e vë incenerimin në fund fare të piramidës, ndërkohë që ne megjithëse kemi paguar qimet e kokës në dy strategji për menaxhimin e mbetjeve nga japonezë e gjermanë, sot po bëjmë të kundërtën dhe të asaj që me VKM qeveria vetë ka vendosur për përfundimin e ndarjes në burim të plehrave në fund të Dhjetorit 2016-të.
8. Së teti, ndërtimi i 6 inceneratorëve, po qoftë dhe 3 në një pëllëmbë vend si Shqipëria, do të thotë zyrtarizimi “de facto” i importit të plehrave ne Republikën e Shqipërisë, pasi me aq plehra sa prodhojmë ne, mund të mbajë në punë maksimumi 1 incenerator të madh, 5 të tjerët do jenë për botën, ose do kthehen në muze.
9. Së nënti, projektin e Shqipërisë bujqësore dhe turistike, duhet thjesht ta harroni, sepse me 6 incineratorë në pika të ndryshme të territorit, si Sarandë, Korçë, Durrës, Shkodër, do të thotë kolaps total mjedisor, dhe nëse nuk është mjedisor, është e sigurt që do të jetë kolaps imazhi për turizmin bregdetar, turizmin agro-kulturor e më tej.
10. Së dhjeti, zhduk tërësisht industrinë e riciklimit, për të cilën qeveria luftoi me muaj të tërë në krah tyre, dhe tani i kthen shpinën, duke zhdukur jo vetëm industrinë, po duke zhdukur dhe vetë konceptin e riciklimit, si mënyra e vetme e qëndrueshme për një zgjidhje afatgjatë
Në përmbledhje, mund të thuhet se kemi një tërheqje totale të shtetit ndaj detyrës kushtetuese për garantimin e jetës së qytetarëve, sepse ky shtet, as nuk respekton strategjitë që porosit vetë, delegon dhe i paguan privatit për një të mirë publike, që në fakt privati duhet t`ia blinte shtetit – duke keqpërdorur taksat – injoron tërësisht qytetarët në respektimin e të drejtave të tyre, dhe mbi të gjitha nuk kryen as matjen e ndotjes si detyrë minimale, por ia ka besuar njerëzve në konflikt total interesi.
Zgjidhja : Zgjidhjet afatgjatë janë vetëm dy : Parandalimi, dhe Riciklimi – atë që po bëjnë të gjithë vendet të udhëhequra sipas Direktivave Europiane, dhe Direktivat nuk janë shaka, se nëse nuk i plotëson të shembin në gjoba.
Në tërë Europën, inceneratorët po mbyllen dhe kanë një vend tërësisht periferik, ndërkohë që në Shqipëri po i ngrenë pa asnjë nevojë objektive.
Ku ishim..asgjëkundi…çfarë psonisëm…asgjësendi!
Për më shumë informacione mund të ndiqni linqet më poshtë:
Exit.al http://www.exit.al/2017/10/04/oktapodi-i-plehrave-si-po-perqendrohet-ne-nje-dore-industria-e-plehrave/
Exit.al http://www.exit.al/…/menaxhimi-i-mbetjeve-deshtim-i-qeveri…/
Deutsche Welle: https://www.facebook.com/dw.shqip/videos/1632143813496179/
Nisma Blog: https://nisma.blog/njeriu-misterioz-qe-ka-perfituar-pa-gar…/
Monitor.al: http://www.monitor.al/ndryshimi-i-politikave-per-mbetjet-u…/
Monitor.al: http://www.monitor.al/qeveria-planifikon-82-mln-euro-inves…/
Monitor.al: http://www.monitor.al/reportazh-ne-verri-qendresa-vetmitar…/
Citizens Channel: https://citizens-channel.com/…/inceneratoretshkaterrim-per…/