10 huqe për t’u shmangur kur shkojmë për hiking

Nga Erblin Vukaj
10 huqe për t’u shmangur kur shkojmë për hiking

Vitet e fundit është rritur ndjeshëm turizmi njëditor dhe sidomos shtegtimi në natyrë, apo siç preferohet të thuhet rëndomtë: hiking.

Shtegtimet po shihen gjithmonë e më tepër si mundësi shplodhjeje psikologjike prej rutinës së përditshmërisë urbane, por ka disa gjëra që duhen patur parasysh për t’u shmangur.

Ky shkrim rreshton 10 huqet që marrim me vete kur shkojmë në fshat, mal, lum, apo pyll.

Erblin Vukaj/Pamje nga Alpet e Shqipërisë, Valbonë.
  1. Mbeturinat
    Kur nuk ka kosha i hedhin mbeturinat në rrugë. Ky jusitifikim nuk vlen kur jemi duke shtegtuar në natyrë. Këshilla: Gjatë shtegtimit mbaj trastë për mbeturinat. Në kthim hidhe në koshin e parë që sheh.
  2. Cigaret
    Njësoj si me mbeturinat, kur nuk ka tavllë duhani apo kosh, qytetarët i fikin cigaret përtoke. Ky huq nuk gjen vend në natyrë. Cigaret shkaktojnë zjarre, ndërsa bishtat e tyre nuk treten. Këshilla: Për çdo cigare sigurohu që është fikur, përdor kuti shkrepseje për t’i mbledhur bishtat, në kthim hidhi në kosh.
  3. Alkooli dhe pijet energjike
    Shpesh në shtegtime konsumohet alkool apo pije energjitike, pa e ditur se ato çrregullojnë qarkullimin e gjakut dhe nxisin dehidratimin.
  4. Shtegtimi vetëm
    Të ecësh në natyrë nuk është kurrë e 100 për qind e sigurt. Rreziku kryesor është humbja e rrugës, më pas rrëzimet dhe lëndimet. Këshilla: Mos shtegto vetëm, ndiq shtegun e shenjuar, merr hartë ose shiko harta online.
  5. Rruga për shkurt
    Rruga e shkurtër të nxjerr më gjatë, në mos më gjatë, të nxjerr më të lodhur. Kjo vlen shumë sidomos për ngjitjet në mal. Këshilla: Ndiq grupin, ndiq shtegun e shenjuar, zakonisht ajo është rruga më pak e lodhshme.
  6. Uji
    Një shishe uji të nxjerr gjithmonë nga situata, sidomos në shtegtimet e lodhshme dhe ditë me diell.
  7. Ushqimi
    Shtegtimet në natyrë duan shumë energji, për këtë oreksi është armiku i dytë pas etjes. Këshilla: Merr ushqime të lehta me vete, shmang fast-food-et e rënda, merr fruta.
  8. Çantë e mbingarkuar
    Nëse je duke shtegtuar për një ditë, nuk është nevoja të marrësh shumë gjëra në çantë. Bëj kompromis mes gjërave që të duhen medoemos dhe atyre që nuk të duhen me patjetër, por mos harro që është më mirë të mbash se sa të qash.
  9. Pa çantë fare
    Shtegtimet me duar në xhepa shpesh përfundojnë përpara kohe. Duarxhepët janë tipat që kan huqin të qahen më shumë dhe për çdo gjë: më pihet ujë, më haet bukë, u qulla në djersë, vrava këmbën etj.
  10. Zhurmat
    Nëse shtegtojmë në pyje të thella, apo male, duhet patur parasysh se zhurmat ndikojnë keq te kafshët dhe sidomos te shpendët. Bërtitjet, britmat apo dhe muzika e lartë në natyrë mund të trembë kafshët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>