“100 Fshatrat turistikë”, projekti në letër për fshatrat e Durrësit

Nga Porta Vendore
“100 Fshatrat turistikë”, projekti në letër për fshatrat e Durrësit

Projekti 100 fshatrat turistikë, një nga angazhimet e qeverisë, edhe pse ka kaluar afati, nuk është përmbushur në fshatrat e qarkut Durrës, ka gjetur Elisa Gjerani dhe Marinela Dushi për Porta Vendore.

Radë, Shetaj dhe Shënvlash janë 3 fshatrat që përfshihen në listën e planifikuar për t’i kthyer në atraksione turistike, me qëllim përforcimin e ekonomisë së zonave rurale. Porta Vendore vizitoi tre fshatrat e Bashkisë Durrës, ku projekti për rilindjen rurale pothuajse nuk ekziston.

“Programi i 100 fshatrave turistikë”, një projekt tejet ambicioz i qeverisë shqiptare ( i cili startoi më 2018 e duhet të përmbyllej më 2020) që do të shndërronte “fytyrën” e 100 fshatrave nëpër të gjithë territorin shqiptar sa i përket infrastrukturës, ekonomisë, investime në agroturizëm, rikonstruksionin e monumenteve etj, duket se nuk ka gjetur zbatim në Durrës. Projekti i shumëpërfolur dhe trumbetuar mbeti thjesht në letër, ndërsa institucionet e përfshira për mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili tanimë në fakt duhet të kishte përfunduar, ngrenë “supet” mbi ndryshimet reale që përftuan këto zona.

Destinacioni i parë është Rada, fshat i Njësisë Administrative Manëz.

Rruga kryesore që të çon drejt qendrës së fshatit është e asfaltuar si dhe kishte sinjalistikë, por ky është një investim ekzistues dhe jo në kuadër të “100 fshatrave turistikë”.

Por duke u ndalur në brendësi të fshatit, shumë rrugë ishin ende të paasfaltuara. Gjatë shëtitjes tonë për të gjetur elementë turistikë, anash rrugës shohim të vendosur një tabelë informuese.

Siç shihet edhe në foto, tabela tregon se fshati Radë ofron muze, trashëgimi kulturore, trashëgimi historike, teqe, xhami, kala, Park Kombëtar, plazh, hipizëm, motoçiklizëm malor, ngjitje në mal, bujtina etj.

Në hartë tregohet vendndodhja e disa shtëpive për turistë, restorante, hipizëm, por nuk demonstrohen shumë elementë të tjerë si: çiklizmi, ngjitja në mal, kishat, muzetë. Megjithatë, ne marrim rrugën për të hyrë në fshat. Rrugës pikasim një burrë rreth 50 vjeç, të cilin e pyesim nëse në Radë vijnë turistë dhe nëse është një fshat turistik. “Nuk është fshat turistik, këtu vetëm kanë shtruar rrugën. Është edhe një lokal këtu afër që ofron agroturizëm dhe frekuentohet nga turistë, por tjetër gjë nuk ka. Rada nuk ka çfarë t’i ofrojë turistëve, nuk është bërë asnjë investim për zhvillimin e zonës, për përthithjen e turistëve”, tha ai. Për të dhënë më shumë informacione, banori na drejton te kryetari i fshatit, Kujtim Gjergji. Atë e gjejmë teksa punonte në ndërtimin e shtëpisë së vëllait, të cilit iu prish banesa nga tërmeti i nëntorit 2019.

Nuk ka asnjë pikë që ofron turizëm, përveçse një biznes që ofron agroturizëm. Në Radë muzeu është prishur, edhe teqetë janë shkatërruar. Këtu ka vetëm një xhami”, shprehet kryetari i fshatit Kujtim Gjergji.

Banorët kujtojnë me nostalgji periudhën kur fshati i tyre lulëzonte nga kultura dhe jeta artistike, ndërsa në demokraci gjithçka duket se është shuar, duke e bërë çdo ditë e më të largët jetën kulturore.

“Ne duam që ato që janë shënuar në tabelë, të jenë në realitet dhe jo false”, shprehet kryeplaku i fshatit Radë. Ndër të tjera, Gjergji renditi edhe disa problematika të tjera të fshatit. “Ka shumë rrugë të pa shtruara. Ekonomia e personave që jetojnë në fshat është shumë e dobët. Këtu njerëzit jetojnë me bujqësi, pasi të rinjtë janë larguar nga fshati dhe prandaj nuk kemi zhvillime të zonës”, tregon ai.

Teksa përshëndetemi me kryetarin e fshatit, rrugës takojmë një grua të moshuar, e cila mbante një maskë, si barrierë mbrojtëse ndaj virusit COVID-19. Ajo tregon për Portën Vendore se në Radë nuk janë bërë investime që të tërheqin turistë. “Këtu nuk është investuar në asgjë, ka vetëm dy restorante, dy dyqane dhe nuk ka çfarë tu ofrohet turistëve”, shpjegon e moshuara. Duhet theksuar se në Radë, biznesi, i cili ofron agroturizëm është pranë liqenit i Huqve, e cila ofron vreshtari, shëtitje me varkë, hipizëm. Por ky biznes që ofron një ambient të këndshëm për turistët, për banorët e zonës nuk sjell asnjë përfitim, që do të ndikonte në përmirësimin e ekonomisë së tyre.

Edhe bujtinat, të cilat sipas hartës ishin të shpërndara në disa zona të fshatit, përveç shtëpive pranë biznesit privat, gjatë rrugëtimit tonë nuk pamë asnjë tjetër. Këtë e konfirmon edhe administrator i njësisë i Njësisë Administrative Ishëm, Kadri Gjyli. Ai i tha Portës Vendore se deri tani ky fshat nuk ka asnjë investim të kryer nga shteti. “Dy fshatrat turistikë po bëhen nga privati. Bujtina s’ka të hapura pas lançimit të projektit të 100 fshatrave”, u shpreh ai.

Më pas marrim rrugën për në Shetaj, një tjetër fshat, i cili ishte në programin e qeverisë. Për të arritur në destinacion na u deshëm rreth 40 minuta me makinë, megjithëse kishim vetë 25 km largësi nga njëri fshat në tjetrin. Në fillim të fshatit është vendosur tabela si pikë informuese për elementë turistikë që supozohet të ofrojë fshati.

Edhe këtu tabela tregon se në Shetaj ofrohet hipizëm, bujtina, plazh, agroturizëm. Në hyrje të fshatit, rruga ishte e shtruar, por jo në kuadër të projektit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare mbi nismën e programit të 100 fshatrave turistikë, por shumë vite më parë.

Por rruga nuk i kishte të gjitha elementët e sigurisë pasi mungonin barrierat mbrojtëse, të cilat do të ishin të nevojshme, pasi rruga ndërtohej nga zona kodrinore, duke lënë pas humnera. Edhe sinjalistika rrugore ishte e paktë. Teksa vëzhgonin situatën në terren, u angazhuam për të biseduar me banorët e fshatit se nëse është realizuar plani i qeverisë për të kthyer Shetajn si fshat turistik.

Trokasim në portën e një shtëpie private njëkatëshe, në familjen Tonuzi. Një çift i moshuar po qëndronte në oborrin e shtëpisë së tyre duke shijuar kohën e bukur dhe me diell. Ata na ofruan menjëherë mikpritjen e tyre. Qerim dhe Xhevrie Tonuzi, të lodhur nga vitet dhe vështirësitë e jetës së tyre, gjatë gjithë bisedës nuk harruan buzëqeshjen.

Ata theksuan se Shetaj është një fshat që turistët e vizitojnë. “Shetaj është fshat turistik, vijnë shumë turistë, vizitojnë kalanë e Skëndërbeut te Kepi i Rodonit, si dhe Kishën. Këtu rruga është shtruar, edhe dritat janë rregulluar, edhe ujë kemi, se më përpara kemi patur problem”. Ata shprehën se të vetme burime të ardhurash për banorët e fshatit janë peshkimi dhe bujqësia, duke mos e përmendur turizmin si një element për të rritur ekonominë e tyre.

“Unë mbjell fasule, domate, të gjitha ushqimet i marr nëpërmjet punës me krah. Unë nuk kam pasur asnjëherë një rrogë në shtëpi gjithë jetën time”, tregon Xhevria e përlotur. Ndërsa bashkëshorti i saj tregoi se akomodimet apo elementët turistikë ofrohen përgjatë vijës bregdetare, pranë Kepit të Rodonit.

Pas një bisede të këndshme me çiftin Tonuzi, largohemi për të kërkuar kryetarin e fshatit. Në fakt fshati nuk kishte më kryetar, pasi ende nuk ishin bërë zgjedhjet për to. Ne biseduam me ish kryetarin e fshatit, i cili na tregoi se nuk janë investuar në asnjë gjë deri më tani. “Të vetmet pika turistike të fshatit janë vija bregdetare te Kepi i Rodonit, Kisha, Kalaja. Këtu banorët jetojnë me bujqësi por edhe me ndërtim. Kanë ardhur disa firma dhe po investojnë për resorte luksoze përgjatë detit”, tha ai për Portën Vendore.

Të lodhur nga rruga, vendosim të ndalojmë në një kafe që pamë pranë rrugës kryesore. Trokasim por nuk kishte njeri. Një banore, e cila kishte shtëpinë pranë lokalit, tha se pronarët e kishin mbyllur atë ditë, pasi kishin shkuar për të kapur peshk në det. Largohemi pa konsumuar kafen e dëshiruar si pasojë e lodhjes dhe vapës nga dielli. Vijojmë sërish udhëtimin me makinë, dhe teksa i afrohemi më shumë zonës ku ofron objekte historike dhe elementë të ofruar nga natyra, asfalti dhe rruga e shtruar përfundon. Përballë kemi rrugë të prishura, me gropa, ku dukej qartazi se nuk ishte investuar në sloganin kryesor për fshatin turistik.

Ndërsa sinjalistika rrugore, si tabelat ku tregonin normën e shpejtësisë apo nëse rruga do të kishte kthesa, ishin të dëmtuara, të ndryshkura, të shtrembëruara. Por një tjetër problem ishte se mungonin tabelat orientuese apo informuese se përtej ndodhet Kalaja e Skënderbeut, e cila ka shërbyer si një pikë strategjike për të monitoruar dhe për ndaluar sulmet e armiqve. Rrugës vërtetojmë fjalët e banorëve që disa firma po ndërtonin komplekse luksozë, të cilat jepeshin me qira ose shiteshin. Ky investim i madh na tërhoqi vëmendjen dhe pyetëm nëse ishte vallë projekt i qeverisë për 100 fshatrat, por në fakt na thanë se “po financon privati”. Por ashtu sikurse pritej, firmat e ndërtimit kishin mbërritur deri në këtë zonë të virgjër të Adriatikut për ta pushtuar me ndërtime të reja, në trajtë vilash.

Në Shetaj gjatë gjithë udhëtimit tonë, nuk pamë asnjë lokal apo tabelë që të tregonte se fshati ofronte agroturizëm. Ajo që vihej re ishte se numri i mjeteve që qarkullonin në fshatin Shetaj, pranë objekteve historike ishte shumë i ulët, duke treguar se është një fshat që nuk kishte shumë gjallëri dhe qarkullim të turistëve. Rruga e prishur përfundon teksa arrijmë te trau i Kepit të Rodonit.

Trau i vendosur për të hyrë në pikën turistike të quajtur Kepi i Rodonit në Shetaj.
Për të hyrë në zonën historike dhe në det duhet të paguaje 500 lekë të reja hyrjen. Në këtë zonë ishte Kisha e Shën Ndout, e cila është ndërtuar në shekullin e 15-të dhe që shërben si një atraksion turistik.

Por aty mungonte ciceroni i kësaj kishe qindravjeçare. Edhe pse pranë kishës ishte një tabelë informuese për historinë e godinës fetare, ato rreshta shqip-anglisht ishin të pamjaftueshme për të justifikuar rrugën e gjatë dhe të lodhshme. Por përveç kësaj, tabela ishte e dëmtuar dhe shkrimi ishte i paqartë në disa rreshta.

Në këtë objekt të trashëgimisë kulturore, qëndronte një burrë, i cili kishte detyrën të hapte dhe të mbyllte derën e kishës si dhe të pastronte barin pranë hyrjes. Por ai nuk kishte shumë informacion për historinë që mbart ky monument kulture. Ai tregoi se ishte e nevojshme prania e një ciceroni, pasi turistët shfaqin interes. Pranë kishës ndodhej edhe një manastir, më saktë rrënojat, pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë viteve dhe ishte tërësisht i shkatërruar.

Por sipas rojës dhe tabelës informuese, Skënderbeu ndërtoi manastirin për motrën e tij dhe murgeshat e zonës. Një tjetër element historik që ofronte zona ishin disa bunkerë, të cilat ishin të mbushur me rërë dhe barishte.

Më pas drejtohemi për të vizituar Kalanë e Skënderbeut. Për ta vizituar kishte dy mënyra, ose me varkë peshkimi ose nëpërmjet një shtegu, e cila përshkohej vetëm me këmbë, që ishte i pa sigurt për vizitorët. Pas disa minutash dhe vështirësisë të hasur gjatë shtegut, arrijmë te kalaja.

Koha ishte treguar e “kursyer” duke e ruajtur dhe mbajtur akoma në këmbë atë objekt historik shumë të bukur. Megjithëse kalaja ishte e harruar, rrethuar nga plehrat ndërsa tabela informuese edhe këtu ishte e dëmtuar.

Përveç kësaj, edhe këtu mungonte një ciceron, ku historia e treguar nga një person i fushës do të tërhiqte shumë vëmendjen e turistëve, pasi në këtë godinë historike janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishmë ku Skëndërbeu ka marrë vendime shumë të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen e territorit shqiptar.

Ndalesa e radhës përsa i përket vëzhgimit të Portës Vendore ishte një tjetër fshat, pikërisht ai i Shënavlashit.Në këtë fshat, përveç manastirit, nuk kishte asnjë atraksion turistik. Në autostradë është një tabelë që orienton për në manastir. Rruga është e asfaltuar deri te manastir, e më pas ajo është me gropa dhe e pashtruar.

Një banore e zonës, të cilën e hasin në rrugë na tregon se në fshat nuk ka asnjë investim për banorët dhe jo më për turistët. Ajo tregon se jeta në fshat është shumë e vështirë dhe se burimi i ta ardhurave të tyre janë bujqësia dhe blegtoria. “Nuk është fshat turistik, këtu mungon uji i pijshëm, ka shumë persona që nuk kanë ujë, e jo më të investohet për turizëm. Këtu jetohet me bujqësi dhe me shitjen e qumështit”, thotë ajo e revoltuar.

Edhe roja e manastirit tregon se nuk është investuar për turizëm, nuk ka bujtina apo hipizëm. “Vizitorët vijnë në Shënvlash dhe vizitojnë manastirin, tregojnë interes në çdo periudhë të vitit. Në fshat nuk ka atraksione të tjerë që tërheqin turistët, nuk ka hipizëm apo bujtina”, tha ai për Portën Vendore.

Të njëjtin mendim e përforcoi edhe kryetari i fshatit, Fabjan Gashi, i cili u shpreh se qeveria nuk ka investuar me asnjë projekt dhe 100 fshatrat turistikë nuk ka gjetur zbatim në Shënavlash.

“Përveç manastirit, këtu në Shënvlash nuk ka asnjë gjë që të ofrohet për turistët. Këtu shumë rrugë janë të pashtruara. Nuk ka asgjë në realitet nga ato elementë të reklamuar në tabelën informuese në qendër të fshatit”, thotë ai.

Ndërsa i pyetur nga Porta Vendore, administratori i njësisë Rrashbull, tha se po kryhen investime në disa drejtime në këtë fshat turistik, por ka ende shumë punë përpara.

“Investime po bëhen, por nuk e di nëse janë në kuadër të 100 fshatrave turistikë apo jo. Është ndërtuar një rrugë që është goxha investim i madh. Ka gjithashtu edhe shumë punë të tjera për tu bërë dhe ende në fshat kemi probleme prezente si mbetjet e ujërat e zeza. Në zonë ka disa lokale, por jo agroturizëm”, tha ai.

Por pasi mbaruam rrugëtimin tonë në tre fshatrat, pjesë e projektit, Porta Vendore pyeti dhe pranë Bashkisë Durrës, e cila deklaroi shkurt se “Projekti i100 fshatrave turistikë është i qeverisë qendrore dhe bashkia nuk ka lidhje në këtë gjë”.

Porta Vendore dërgoi kërkesë për informacion lidhur me temën në fjalë pranë të gjitha institucioneve të përfshira për mbarëvajtjen e këtij procesi: Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Social, Ministrisë së Kulturës, dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku vetëm ky i fundit u përgjigj duke mbajtur kështu rolin e autoritetit menaxhues për programin.

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të këtij programi, deri më sot ka ndërmarrë 65 projekte zhvillimore me një vlerë totale investimi prej 25.6 mld Lekë ose rreth 250 milionë USD, projekte këto të cilat shtrihen apo kanë impakt të drejtpërdrejtë në zonat e 100 Fshatrave (më konkretisht përfitues direkt janë 43 fshatra) dhe/ose zonat përreth tyre”, thotë në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore FSHZH, duke shtuar se:

24 projekte kanë përfunduar, me një vlerë investimi prej 6,7 mld lekë;
17 projekte janë në zbatim, me një vlerë investimi prej 8,2mld lekë;
5 projekte janë në proces programimi, me një vlerë investimi prej 1,7 mld lekë;
19 projekte janë në procedura prokurimi dhe vlerësimi projekti teknik, me një vlerë investimi prej 8.8 mld lekë;

Për vitin 2021, sipas FSHZH është parashikuar ndërhyrje në qarkun e Durrësit vetëm në fshatin Metallaj (e cila në fakt i përket Bashkisë Shijak) me: “Rikonstruksion i rrugëve lagjia e re Metallaj, lagjia e re Bodinak” me një vlerë prej 144 499 170, por që puna nuk ka nisur ende.

Lidhur me projektin, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) thotë se: “Nga Programi IPARD kemi 42 kontrata te lidhura Agroturizëm dhe Bujtina. Nga Skemat Kombëtare 21 subjekte përfitues Agroturizëm dhe Bujtina”, thotë në përgjigjen zyrtare ky institucion.

Programi i 100 fshatrave synonte të koordinonte ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave, sipas qasjes ndërsektoriale dhe me shumë aktorë, por nga ajo që vihet re është se Bashkia Durrës nuk ka arritur të marrë asgjë nga ky program për tre fshatrat e përfshira në programin e qeverisë. Në territorin e Bashkisë Durrës janë vetëm 3 fshatra turistik, përkatësisht: Rada, Shetaj, Shën Vlash.


Artikulli u botua në origjinal në Porta Vendore

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>