100 milionë euro kanë dërguar emigrantët kosovar vetëm për muajin maj

Nga Exit News
100 milionë euro kanë dërguar emigrantët kosovar vetëm për muajin maj

28 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e 2019-ës kanë sjellë në Kosovë emigrantët, pavarësisht pandemisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Shifrat i publikoi ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media, ku bëri të ditur vendimin për mbulimin e shpenzimeve nga ana e qeverisë për Kartonin e Gjelbër për mërgimtarët që vijnë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm në muajin maj të këtij viti, vlera e parave të mërgimtarëve me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ka qenë 100,7 milionë euro, ndërsa në muajin maj të vitit të kaluar kjo vlerë ka qenë 78,4 milionë euro.

BQK-së, shprehet se nga shuma e përgjithshme e dërgesave prej 100,7 milionë euro, në muajin maj të këtij viti, 88,6 milionë euro janë dërguar përmes agjencive për transferë të mjeteve, kurse përmes bankave komerciale që operojnë në Kosovë, janë dërguar 12,2 milionë euro.

Përveç remitencave të dërguara për familjet e tyre, nga diaspora kosovare janë grumbulluar mbi 716 mijë euro në llogarinë e dedikuar të Thesarit, si mbështetje financiare për luftimin koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë një varshmëri të madhe nga remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të ulëta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>