Parlamenti Europian kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë

Parlamenti Europian kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë

Parlamenti Europian (PE) i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare.

PE-ja miratoi dje, një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën flitet, ndër të tjera dhe për shkatërrimin e parqeve kombëtare nga hidrocentralet.

Në mënyrë të veçantë rezoluta trajton rastin e lumit Vjosa, ku qeveria ka planifikuar ndërtimin e një sërë hidrocentralesh mbi rrjedhën e lumit dhe degëve të tij.

Ky është qëndrim i përsëritur i PE-së, pasi dhe në rezolutën e vitit të kaluar, ajo këshillonte qeverinë Rama të mos planifikonte ndërtime, por të investonte për rigjallërimin e Parkut të Vjosës.

Pavarësisht kësaj, qeveria ka nisur proçedurat për ndërtimin e një prej hidrocentraleve të parashikuara, atë  të Poçemit. Më datë 17 mars 2016 u mbyll faza e aplikimeve për investitorët e interesuar dhe së shpejti, pritet shpallja e kompanisë fituese.

Ekspertë të fondacioneve europiane për mbrojtjen e natyrës që bashkëpunojnë me Parlamentin Europian kritikuan vendimet e qeverisë që nuk reflektojnë insistimin e institucioneve europiane për zonat e mbrojtura e parqet kombëtare.

Ata deklaruan se ndërtimet e hidrocentraleve në  lumin e Vjosës janë të paligjshme. Qeveria nuk ka bërë studimet dhe vlerësimet e thelluara të ndikimit në mjedis siç parashikohet në ligj, si dhe nuk ka përfshirë qytetarët në procesin e vendimmarrjes të parashikuar në konventat ndërkombëtare.

Duke përjashtuar disa lumenj në Rusi, lumi Vjosa është lumi i fundit i egër në Europë dhe rigjallërimi i parkut të Vjosës do të krijonte Parkun e parë të një lumi të këtij lloji në Europë. Por kjo mesa duket, nuk do të ndodhë pasi qeveria nuk po jep asnjë shenjë tërheqje nga plani i saj për të ndërtuar një hidrocentral të madh  në Vjosë.

Javët e fundit, mediat kanë bërë me dije se qeveria kërkon të ndërtojë 11 hidrocentrale dhe në Luginën e lumit Valbonë, në veri të vendit.

Për më tepër lexoni:

Kryeministri përqafon “barbarizmin” që u betua se do luftonte

Krimi kundër Valbonës dhe thesareve të tjera të natyrës

 

Lajme te ngjashme