Dhjetëra gra marshuan në rrugët e Minskut. Ato kërkojnë që qeveria bjelloruse dhe Aleksandar Lukashenka të largohen nga pushteti dhe të mbahen zgjedhjet e reja.
Marshi i 17 tetorit ishte më i vogël sesa protestat që janë zhvilluar në Bjellorusi, që prej zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit.
Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqën policët duke arrestuar disa pjesëmarrës. Grupi për të drejtat e njeriut Vyasna tha se të paktën 15 persona janë arrestuar nga policia.
Bjellorusia po përballet me protesta që prej zgjedhjeve të 9 gushtit, ku Lukashenka thotë se ka fituar. Ai është në pushtet që prej vitit 1994.
Grupet opozitare dhe shumë bjellorusë thonë se rezultatet zgjedhore janë manipuluar dhe se aktivistja Svyatlana Tsikhanouskaya në fakt është fituesja legjitime e zgjedhjeve presidenciale.
Tsikhanouskaya është larguar nga Bjellorusia për në Lituani pak kohë pas zgjedhjeve, pas kërcënimeve që ka marrë familja e saj dhe ajo.
Tsikhanouskaya dhe mbështetësit e saj, gjatë kësaj jave rritën presionin ndaj Lukashenkës, duke i bërë thirrje që të dorëhiqet deri më 25 tetor ose do të përballet me një grevë mbarëkombëtare.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar që të njohin fitoren e Lukashenkës dhe më 12 tetor BE-ja e futi Lukashenkën në listën e sanksioneve.