Kryeministri Edi Rama foli sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit për prezantimin e projektit të Stadiumit të ri Kombëtar në Tiranë.
Pikat kryesore të fjalës së tij ishin:
- Është fat për Tiranën që e ka dhe do ta ketë stadiumin në qendër.
- Kur isha kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe realizuam planin për qendrën e Tiranës me studion franceze kam pasur debat. Unë dhe të tjerë kemi mbrojtur idenë që stadiumi të spostohej në periferi, studio franceze ka këmbëngulur që stadiumi të qendrojë aty ku është.
- E kam shtruar këtë çështje me të gjithë arkitektët apo urbanistët e famshëm që kam rastisur. Nuk mbaj mend asnjë që të më ketë thënë që do të ishte mirë që stadiumi i ri të zhvendosej.
- Pa diskutim, të gjithë njerëzit e sportit, futbollit duke filluar nga Federata, stadiumin e duan aty. Stadiumin e do aty dhe logjika urbane e ekonomike e qytetit.
- Kulla është element i kërkuar me ngulm nga arkitekti dhe studioja e arkitekturës, si element ikonik i projektit.
- E pakonceptueshme fobia ndaj kullave, përse i përket stadiumeve me kullë nuk janë shpikej e kësaj kohe dhe kjo kullë nuk është shpikje e arkitektëve italianë.
- Unë nuk e di nëse është gjëja më e udhës që një projekt të sulmohet pa u kuptuar deri në detaje. Stadiumi i ri kthen sheshin e “Brazinit” dhe “Bozios”. E heq parkingun e makinave. Aty është një parking makinash ordiner. Askush nuk është kujtuar se ku është piaza.
- Projekti i ri i hap rrugën për ta çliruar sheshin edhe nga ndërtimi midis stadiumit dhe Sheratonit. Projekti krijon dy hapësira të reja publike që nuk ekzistojnë sot.
- Vetëm këtu mund të ndodhi që këta teologët e trashëgimisë mund ta pranojnë që ajo ngushtica të jetë normale. Stadiumi tërhiqet dhe krijon dy hapësira për publikun.
- Stadiumi Qemal Stafa është sot një qendër e mjeruar tregtare, një gërmadhë, tendë garazhesh e lavazhesh, është një turp në mes të qytetit.
- Tirana se ka luksin që në qendër të vet të ketë një gropë të errët gjatë natës dhe një gropë pa asnjë funksion gjatë ditës.
- Një stadium kërkon para. Ne kemi bërë një sforco të paparë si qeveri. Nuk ka qeveri sot në Europë që të financojë ndërtime stadiumesh. Ska investitorë stadiumësh që blejnë toka.
- Kudo ku ndërtohet një stadium trualli është i falur, i dhururar nga bashkia, stadiumi i Juventusit apo i Romës janë ndërtuar mbi truall të dhuruar.
- Stadiumet nuk ndërtohen më vetëm për të dielën apo vetëm për futboll.
- Stadiumi kombëtar i Shqipërisë nuk e ka mundësinë të mbajë vetveten dhe bashkitë nuk administrojnë stadiume.
- Ajo që kemi bërë me Elbasan Arenën dhe Loro Boriçin në Shkodër na bën nder si qeveri, sepse e kemi bërë për të shpëtuar nderin e ekipit kombëtar.