Kosova anëtarësohet në UEFA

Kosova anëtarësohet në UEFA

Kosova u anëtarësua sot në UEFA, institucionin më të rëndësishëm në Europë për futbollin.

Votimi për pranimin e Kosovës u mbajt në kongresin vjetor të UEFA-s. 54 shtete, që janë tashmë anëtare, votuan në fshehtësi. 28 shtete votuan pro, 24 kundër dhe dy vota u shpallën të pavlefshme.

Gjatë kongresit të sotëm, pati debate të nxehta mes përfaqësuesve ligjorë të UEFA-s dhe përfaqësuesve të Zvicrës e Serbisë, dy zërat kryesore kundër anëtarësimit të Kosovës.

Diskutimi kryesor u bë rreth një neni të UEFA-s që përcakton se asnjë shtet që nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) nuk mund të jetë pjesë e UEFA-s. Por, përfaqësuesit e Kosovës këmbëngulën që ky nen ka më shumë prapavijë politke e nuk duhet të bëhet shkaktar që përfaqësuesja kosovare e futbollit të mbetet jashtë këtij institucioni.

Debate ka pasur dhe mes përfaqësuesve të Zvicrës dhe atyre të Shqipërisë. Shqetësimi krysor i Zvicrës lidhej me fatin e shumë prej lojtarëve të saj me origjinë nga Kosova.

Armando Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, iu përgjigj këtij shqetësimi.

“Kosova tashmë është një realitet që luan futboll, organizon kampionate brenda, ka skuadrat e veta dhe federatën e vet që nuk ka lidhje me federatën serbe. Edhe ne kemi futbollistë me origjinë nga Kosova dhe frika se mund t’i humbim ata nuk është me rëndësi për ne, me rëndësi është që të mendojmë për futbollin dhe vetëm për futbollin”, u shpreh ai.

Lajmi i pranimit të Kosovës në UEFA ka pushtuar jo vetëm mediat shqiptare, por dhe ato serbe. Këto të fundit shkruajnë se ky anëtarësim nuk është legjitim pasi u bë me shkelje të rënda të statutit të UEFA-s.

Ndërkohë në Kosovë, qytetarët kanë nisur festën. Kjo ditë është cilësuar nga ata si më e rëndësishmja pas shpalljes së pavarësisë.

Javës tjetër Kosova do të aplikojë për tu bërë pjesë e FIFA-s, institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Përfaqësuesja kosovare shpreson se ky anëtarësim mund ta çojë vendin në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2018.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>