Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar të enjten mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Partinë Demokratike të Kosovës.
Përfaqësuesja e LVV Albulena Haxhiu, pohoi se s’do të ketë koalicion me PDK, ashtu siç u përfol. Ajo tha se qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është e pashmangshme.
“Unë dhe Glauku nuk e kemi kundërshtuar njëri-tjetrin. E kemi thënë të njëjtën gjë, në mënyra tjera. Njëri në përpjekje për të vënë në pah se tash gjendemi në një kontekst të ri politik në të cilin PDK është e parëndësishme që Lëvizja t’i vihet përballë, e që u keqkuptua qëllimisht, e tjetri në gjuhë të thjeshtëzuar për t’ia rikujtuar PDK-së që mbetet po e vjetra”, tha ajo në llogarinë e saj në Facebook.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.
Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.
Qeveria Hoti u formua pas rrëzimit të qeverisë Kurti. LVV doli partia e parë në zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në tetor 2019. Por koalicioni mes LVV dhe LDK nuk rezistoi, e për pasojë qeveria Kurti u rrëzua në parlament me 82 vota.
Qeveria e re e Hotit, u formua me anë të koalicionit mes LDK, AAK, Nisma, parti të pakicave si edhe listën serbe.
Deri më tani Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Enver Hoxhajn kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Sakaq VV është shprehur e bindur se do të fitojë 60 deputetë.
Ndërsa LDK mendon se është partia më e favorizuar për të fituar zgjedhjet.