VV mohon mundësinë e koalicionit me PDK-në

Nga Exit News
VV mohon mundësinë e koalicionit me PDK-në

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar të enjten mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Partinë Demokratike të Kosovës.

Përfaqësuesja e LVV Albulena Haxhiu, pohoi se s’do të ketë koalicion me PDK, ashtu siç u përfol. Ajo tha se qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është e pashmangshme.

“Unë dhe Glauku nuk e kemi kundërshtuar njëri-tjetrin. E kemi thënë të njëjtën gjë, në mënyra tjera. Njëri në përpjekje për të vënë në pah se tash gjendemi në një kontekst të ri politik në të cilin PDK është e parëndësishme që Lëvizja t’i vihet përballë, e që u keqkuptua qëllimisht, e tjetri në gjuhë të thjeshtëzuar për t’ia rikujtuar PDK-së që mbetet po e vjetra”, tha ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.

Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.

Qeveria Hoti u formua pas rrëzimit të qeverisë Kurti. LVV doli partia e parë në zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në tetor 2019. Por koalicioni mes LVV dhe LDK nuk rezistoi, e për pasojë qeveria Kurti u rrëzua në parlament me 82 vota.

Qeveria e re e Hotit, u formua me anë të koalicionit mes LDK, AAK, Nisma, parti të pakicave si edhe listën serbe.

Deri më tani Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Enver Hoxhajn kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Sakaq VV është shprehur e bindur se do të fitojë 60 deputetë.

Ndërsa LDK mendon se është partia më e favorizuar për të fituar zgjedhjet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>