Me këtë rini e ardhmja e Shqipërisë do vazhdojë të jetë e prapambetur dhe partiake

Nga Artur Mborja
Me këtë rini e ardhmja e Shqipërisë do vazhdojë të jetë e prapambetur dhe partiake

Para pak ditësh, ndërsa udhëtoja drejt Tiranës, mbas një shërbimi pune, në radion e makinës dëgjova një reportazh të BBC-së për zhvillimin e teknologjisë në Estoni, veçanërisht të teknologjisë së informacionit (IT).

Reportazhi përqëndrohej kryesisht tek sipërmarrësit e moshës së re në fushën e IT-së.

Shumica e atyre për të cilët fliste reportazhi ishin të rinj 20 e pak vjeçarë që aspironin të krijonin apo ndërtonin produkte e shërbime të reja përmes teknologjisë; të rinj që besonin se mund të ndryshonin botën duke gjetur zgjidhje për problemet që ndeshin njerëzit kudo, përmes punës së tyre dhe shpirtit novator e sipërmarrës.

Flisnin me anglishte perfekte dhe me një gjuhë moderne—mbushur me konceptet më të fundit të zhvillimit dhe përparimit njerëzor—por edhe me aq shumë pasion e optimizëm sa më dhanë ndjesinë se gjithçka që ëndërronin ata do ta arrinin.

Ndërsa mbërrita në Tiranë, për rastësi ironike, rrjetet sociale ishin përmbytur me një video qeveritare të një aktiviteti të quajtur Fressh Voice—një banalizim argëtues i procesit të zgjedhjeve të drejtuesve të forumit rinor të Partisë Socialiste.

Në videon e shpërndarë nga vetë Kryeministri Rama dhe qindra socialistë (e cila u pasua nga një tjetër, dy ditë më vonë) ishin përzgjedhur të rinjtë më të mirë dhe më të artikuluar, të cilët shprehnin aspiratat e mendimet e tyre para një jurie të përbërë nga përfaqësues të caktuar po nga Kryeministri Rama.

Pasi kisha dëgjuar të rinjtë estonezë, të rinjtë shqiptarë m’u duken mediokër, të varfër në shpirt dhe në mendje—të ngjashëm më shumë me komsomolasit sovjetikë të viteve 1960-të se rininë e sotme europiane. Aspiratat e tyre, më së shumti, janë partia dhe udhëheqësit e partisë. Gjuha e tyre është e vjetër, bajate, pa përmbajtje. Mendimet e tyre janë primitive, sipërfaqësore, të papërfunduara.

Të rinjtë estonezë, sikurse ata në vende të zhvilluara, aspirojnë të krijojnë, të zhvillojnë dhe të ndryshojnë botën përmes ideve, sipërmarrjes, teknologjisë, shkencës. Të rinjtë shqiptarë kërkojnë të futen në parti dhe të udhëhiqen nga udhëheqësit e mëdhenj.

Me të drejtë, mund të mendohet se me këtë rini e ardhmja e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë mediokre, e prapambetur dhe e sunduar krejtësisht nga partitë.

Më poshtë janë pa komente disa prej deklarimeve të të rinjve estonezë dhe atyre shqiptarë. Në rastin e të rinjve shqiptarë, gabimet gramatikore apo në arsyetim që mund të vihen re janë në origjinal. Po ashtu edhe gënjeshtrat e disa prej tyre janë orgjinale (si ajo e të resë, e cila, ndonëse e lindur pas rënies së komunizmit, njihte arkitekturën sovjetike që në moshën gjashtë vjeçare).

Në Estoni:

  • “Të gjithë flasin anglisht dhe nisja e një biznesi duket si natyrë e dytë këtu.”
  • “Që në shkollë të mesme, dëgjoja këtë mesazh të fortë, të fuqishëm: krijo kompaninë tëndë, mos ki frikë, mëso të programosh edhe nëse je femër.”
  • “Kam filluar të mësoj programim në shkollë të mesme dhe nëse i thua dikujt që do të studioj IT, kjo është gjëja më interesante që mund të thuash—është ëndrra e çdo prindi.”
  • “Po punoj për një aplikacion për të ndihmuar njerëzit që të motivojnë veten, por duke se kam përgatitje në mjekësi po filloj një kompani teknologjie në fushën e mjekësisë.”

Në Shqipëri:

  • “Një ditë dua të bëhem deputete. Kam dhe një libër, librin Kurban e kam lexuar disa herë—një, dy, tre herë—dua ta kap gjith thelbin.”
  • “Për këtë jam sot këtu, për t’ju bërë një thirrje femrave, afrohemi dhe të shkojmë drejt Evropës së bashku me Kryeministrin tonë Zotin Edi Rama.”
  • “Prandaj jemi sot këtu për të bërë një grup të rinjsh që të jemi faktor në parti dhe ato të vjetrit te partia jonë, te parti e tjetrit e tjetrit të thonë shiko është një grup të rinjsh që ne po na ashtu.”
  • Nëse jeta ime do të ishte një film “mund të ishte Wolf of Wall Street po pa pjesën ilegale.”
  • “Mendoj se të rinjtë duhet të fokusohen tek lumenjtë ekzistentë dhe duhet të ndërtojnë ura në ato lumenj të cilët marrin përpara vitet dhe ditët më të mira që kanë të rinjtë shqiptarë.”
  • “Isha vetëm 6 vjet, më duhej të kaloja përditë nga Lana, më bezdiste ajo fryma sovjetike që ishte përreth. Vjen një i ri shumë pasionant, shumë energjik, shumë këmbëngulës i cili e ndryshon atë faqe të Tiranës që ma bën më të bukur atë pjesë të rinisë dhe më bën më shumë dëshirë për të kaluar rrugën e shtëpisë.”
  • “Dua t’ju them jurisë jo për t’ju korruptuar se nuk më shkon as në mendje me qeverinë Rama të përmend emrin korrupsion apo informalitet, mendoj se do më futet këtu në mendjen time dhe më fusin në burg.”
  • “Bota e politikës është një botë shumë e egër dhe e di shumë mirë që është një botë sakrificash, por tradhëtia jo më kot ishte në rrethin e shtatë të Dantes. Një politikan i zoti di të kënaqë të gjitha palët.”

 

Një përmbledhje e reportazhit të BBC-së mund të gjendet këtu. Videot e Fressh Voice mund të gjenden këtu dhe këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>