Si klientët belgë të Kryeministrit po e trajtojnë Shqipërinë si koloni afrikane

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Si klientët belgë të Kryeministrit po e trajtojnë Shqipërinë si koloni afrikane

Një artikull i publikuar, para pak ditësh, nga Exit.al (që boton rregullisht përkthime të postimeve të blogut tim), me titull “Banda” e Ramës arrin në Bienalen e Venezias në emër të Shqipërisë, përshkruante një organizim lidhjesh të ngushta dhe të dyshimta rreth Kryeministrit Rama, e cila kontrollon punët dhe ofron favore, duke dëshmuar sa thellë e ka infektuar klientelizmi dhe nepotizmi mjedisin kulturor të Shqipërisë.

Ndër të tjera, artikulli përshkruan përfshirjen në pavijonin shqiptar të studios famëkeqë belge të arkitekturës, 51N4E—klientelizmin dhe korrupsionin e së cilës unë e kam diskutuar më parë. 51N4E po merr pjesë në Bienalen e Venezias me prodhimin “Play for Real”, një dokumentar i cili ka në qendër Kullën TID (në bisedat popullore, pagëzuar si “Koshi i Plehrave”), e cila sipas Ramës është “godina me e bukur në Shqipëri.” Për shkak të cinizmit (apo naivitetit) që buron nga teksti i tyre koceme të cilin ata kanë prezantuar dokumentarin, po e riprodhoj atë më poshtë:

“Duke mos patur asnjë angazhim të qëndrueshëm, ne filluam të udhëtonim vajtje-ardhje mes Brukselit —kryeqyteti administrativ të Europës, ku çdo pozicion në sektorin e arkitekturës është tashmë i vendosur— dhe Tiranës, Shqipëri—një vend famëkeq jashtë Evropës, ku pozicionet janë ende të pavendosura. Qëllimi ynë ishte projekti më i madh arkitekturor i porositur ndonjëherë në kryeqytet. Kaluam nga një situatë e vështirë në një tjetër. Në vendin tonë [Belgjikë], rregullat dhe procedurat rigoroze i kufizojnë mundësitë për bashkëpunime krijuese. Në Shqipëri ishte e kundërta: rregullat janë aq të paqarta, zbatohen në mënyrë aq arbitrare dhe madje, shpesh, shmangen krejtësisht. Por për habinë tonë, kjo situatë e pamundur solli një shpërthim mundësish të papritura.

Nga ky takim erdhi e u zhvillua një arkitekturë e hapur ndaj çdo programi të së ardhmes. Brenda depërtueshmërisë së kufijve, një formë e re dialogu u shpik, e cila reflektoi ambicjet gjithnjë në zhvillim, e cila bazohej në përvetësimin gradual të njohurive. Mungesa e rregullave të paracaktuara na detyroi të mësojmë në partneritet, dhe të sfidojmë ekspertizën dhe aftësitë lokale, në kohë reale. Një marrëdhënie besimi u kalit, nga e cila u ndërtua një ëndërr e përbashkët; në një vend ku pritej më pak se kudo, ne krijuam një ikonë që nuk pritej.”

Le të fillojmë me fjalinë e parë. Ndryshe nga sa ata mund të besojnë, Shqipëria nuk është jashtë Evrope. Mund të mos jetë—falë Zotit—pjesë e BE-së, por herën e fundit që unë kontrollova ishte në mes të kontinentit europian. Fjalia e parë, zbulon një sjellje orientaliste, në të cilën agjentët Brukselianë të pushtetit arkitekturial përballen me “pozicione që lëvizin” me rregulla “të paqarta” dhe plot me “mundësi të papritura”. Në fakt është e vërtetë se në një mjedis kleintelist ka shumë mundësi nëse je pranë atij që lëviz gurët, dhe pikërisht këtë gjë ka bërë 51N4E duke ndërtuar “projektin më të madh arkitektural të porositur ndonjëherë”, por edhe vilën private të Edi Ramës, Sheshin Skëndërbej dhe, sikurse mësova në mënyrë tronditëse, përkujtimoren e viktimave të 21 Janarit 2011.

51n4e-monuments
Pamja nga faqja online e 51N4E që tregon se ata janë autorët e pllakës përkujtimore për 21 janarin, për të cilën paratë janë paguar nga bizneset belge.

Nuk e kam të lehtë ta kuptoj imazhin e mësipërm—autorësinë nga një kompani arkitekturore të një përkujtimoreje për viktimat që politika shqiptare i ka lënë të kalben në varrin e tyre, ndërkohë që Edi Rama ka braktisur krejtësisht premtimin e tij për drejtësi për humbjen e tyre. Akoma më i pakuptueshëm është fakti që në faqen e interentit të 51NE4 imazhi është shënuar “Realizuar me mbështetjen e Brussels Export” [dhoma e tregtisë dhe eksporteve e Rajonit të Brukselit]!

Fakti që, sikurse edhe kompleksi privat rezidencial i Ramës (dhe ndoshta edhe COD), autorësia e kësaj “mundësie të papritur”, kësaj “ikonë që nuk pritej” nuk u është njohur atyre (ngaqë do të përbënte skandal) — tregon se ata e kishin të pamundur apo nuk kishin vullnetin për të marrë përgjegjësinë për të. Vetëm tani, gati tre vjet më vonë, ajo u shfaq në faqen e tyre në web. Ka vetëm një fjalë që meriton kjo sjellje kryekëput joetike: sharlatanë!

A nuk kishte ndonjë artist shqiptar të aftë të prodhonte një përkujtimore, dikush si Pleurad Xhafa, vepra e të cilit “Munumenti i Dështimit” përkujtoi viktimat e Gërdecit vendosur mbi trungun e një peme të prerë, përballë Presidencës, para se Erion Veliaj ta shkatërronte me një buzëqeshje në fytyrën e tij, duke mbjellë personalisht një pemë të re në vend të saj? Jo, Rama me sa duket e pa të nevojshme të sillte në Shqipëri ca belge të përhumbur për të përkujtuar vdekjet të cilat ai i ka injoruar në mënryë të paturpshme—vdekje për të cilat ai është personalisht jo pak përgjegjës.

Monument per deshtimin
Përkujtimorja e Pleurad Xhafajt per mungesën e drejtësisë për viktimat e Gërdecit, i cilu u prish nga Kryebashkiaku Veliaj duke mbjellë pemë në vend të trungut

Kështu, këta sharlatanë arkitekture, këta “vrasës me pagesë” dizenjimi organizuan një prezantim libri brenda pavijonit shqiptar, një publikimi të titulluar “Eja” në shqip dhe “How things Meet” në anglisht. Ky libër është “shkruar” nga Falma Fshazi, e cila është drejtoreshë e Qendrës për Hapje dhe Dialog të Ramës, në bordin e së cilës, ndër të tjerë, janë Rama, Anri Sala dhe Johan Anrys i 51N4E-s.

Falma Fshazi nuk ka asnjë përvojë letrare çfarëdo qoftë, me përjashtim të përkthimit në turqisht të librit Kurban të Edi Ramës. Në jetëshkrimin e saj për këtë projekt, sikurse ja do interesi ajo ka “harruar” të përmendë se ka qenë fjalimshkruesja kryesore e Ramës dhe, si rrjedhojë, përgjegjëse për një pjesë të madhe të abuzimit verbal që shefi i saj ka lëshuar në atmosferë. Ky libër, është një tjetër produkt i Proparamës, këtë herë e mundësuar nga një studio arkitekture, e cila është shumë e zënë duke “farkëtuar marrëdhënie besimi”.

Kopertina e publikimit të tregimeve të Falma Fshazit me Fotografi të Stefano Grazinit nga studioja belge 51N4E
Kopertina e publikimit të tregimeve të Falma Fshazit me Fotografi të Stefano Grazinit nga studioja belge 51N4E

Tregimet që shoqërojnë publikimin janë një përmbledhje fëminore “takimesh” dhe “ngjarjesh” të cilat vërtiten rreth Kullës TID, duke nënkuptuar artificialisht një bashkësi atje ku nuk ka hiç të tillë. Shumica e bisedave mes një vajze të quajtur Eja dhe figurave me emra futuristikë, si të dalë nga Cloud Atlas, të tilla si Ont, Lisle dhe Louza janë plot ndërprerje logjike dhe përpjekje të sforcuara për të filozofuar. Kulla TID krahasohet me një “vend të shenjtë” në “tokën e askujt” diku mes Perëndimit dhe Lindjes, duke e fshirë krejtësisht kontekstin e vërtetë urban në të cilin është ndërtuar godina, përjashto disa pika të vizitueshme nga turistët.

Referencat pa harmoni logjike dhe plot keqcitime nga filmi Hotel Grand Budapest i Wes Andersonit, filozofi Slavoj Zhizhek, projektet e mëparshme të 51N4E, Le Corbusier dhe Ismail Kadare spërkatin gjithë tekstin, pa asnjë qëllim letrar. Ështrë një turli e çdo gjëje që i ka ardhur në mëndje Falma Fshazit kur shkruante, ndërkohë që ajo i ka lejuar nënndërgjegjes së saj lirinë e plotë për të zbrazur në letër gjithshka, pa asnjë përzgjedhje.

Kjo përmbledhje e pakuptimtë emrash të famshëm, përmendur për t’u dukur, është paketuar me fotografi shkëlqyese dhe dokumenta nga përvoja emocionuese e 51N4E-së në Shqipëri, gjatë prodhimit të monumenteve paautorsi të vdekjeve të pashpaguara, vilave private dhe foleve për lojra me kulturë për një udhëheqës autokratik. E gjitha kjo i shitet vizitorëve të pavetëdijshëm për vetëm 35 euro!

__________________

*) Opinioni i plotë mund të lexohet këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>