Rreth 10 përqind, ose 62 589 vota të koalicionit Aleanca për Ndryshim të Partisë Demokratike, PD-AN u sollën nga 13 partitë aleate në zgjedhjet e 25 prillit.
Votat e secilës parti aleate është e vështirë të llogariten, por duke llogaritur numrin e votave preferenciale për kandidatët mund të krijohet një përafrim.
Nga 153 kandidatë në listën e koalicionit PD-AN, 24 kandidatë ishin të partive aleate dhe 129 kandidatë të PD-së.
62 589 persona kanë votuar për kandidatët e partive aleate të PD-së, në zgjedhjet e 25 prillit. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009 dhe vitit 2013, aleatët e PD-së kanë marrë më pak vota.
Në zgjedhjet e vitit 2009 ata morën rreth 102 mijë vota dhe në zgjedhjet e vitit 2013, rreth 152 mijë vota.
Në zgjedhjet e vitit 2017 votat për këto parti nuk mund të përcaktohet pasi ato kandiduan në një listë me PD-në dhe atëherë nuk votohej për kandidatët.
Partia aleate më e votuar është PDIU, me 16 630 vota, e ndjekur nga Partia Lëvizja e Legalitetit, PLL me 12 376 vota, Partia Agrare Ambjentaliste, PAA me 8 190 vota dhe Partia Republikane, PR me 8 149 vota.
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së ishte kandidati më i votuar ndër aleatët e PD-së, i dyti ishte Fatmir Mediu i PR dhe i treti Petrit Doda i PLL. Vetëm 7 kandidatë të partive aleate fituan mandat në Kuvend.
Marrë nga emisioni ‘Me pak fjalë’, në Euronews.