Ditën e sotme, afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ, u zyrtarizuan edhe marrëveshjet e koalicionit të partive të vogla të opozitës me PD.
PR ishte e para nga partitë e vogla, e cila firmosi marrëveshjen për të qënë pjesë e koalicionit të PD-së.
“Kjo marrëveshje ka përmbledhur të gjitha marrëdhëniet, qëndrimet, që i shërbejnë fitores. Marrëveshja i jep autoritetin ligjor PD, si parti lider, që të përcjellë në KQZ raportet politike të çdo partie politike,”- tha kryetari Fatmir Mediu.
Marrëveshje të ngjashme u nënshkruan të mërkurën edhe me LZHK e Dashamir Shehut, PAA e Agron Dukws, PBDNJ e Vangjel Dules, FRD e Bamir Topit dhe PDIU e Shpëtim Idrizit.
“Nuk është aleancë kundër PS, por kundër një njeriu të vetëm që tenton të kapë çdo pushtet që të jetë një sulltan”, u shpreh ky i fundit në një deklaratë për median.
Nga ana tjetër, PD dhe LSI mendohet se do të garojnë secila me listën e vetë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Lezhë, Shkodër, Berat dhe Vlorë.
Por, ato do të garojnë me një listë në qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, ku kanë një numër më të vogël votuesish.
Marrëveshja, e siguruar nga “BalkanWeb, zbulon emrin e koalicionit, “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”; shkronjat nistore të koalicionit “PD-AN” dhe siglën e koalicionit.
Marrëveshja saktëson se partia udhëheqëse e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë.
“Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama,” – shkruhet në këtë marrëveshje.
Partitë aleate autorizojnë Bashën të paraqesë pranë KQZ-së listat shumëemërore të kandidatëve për deputet.
Ende nuk dihen numrat e deputetëve dhe vendi i tyre në listën shumëemërore. Sipas marrëveshjes së parë, do të ketë marrëveshje të tjera mes partive.