OKB: Hiqni sistemin e referencës dhe tarifën e skanimit në dogana

OKB: Hiqni sistemin e referencës dhe tarifën e skanimit në dogana

Pas FMN-së dhe Bankës Botërore, është Organizata e Kombeve të Bashkuara e cila kritikon qeverinë për politikat e saj ekonomike, në mënyrë të veçantë politikat dhe procedurat doganore e tatimore.

Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën publikoi, para pak ditësh, një vlerësim mbi procedurat dhe barrierat tregtare në Shqipëri. Raporti është shumë kritik me procedurat që zbatohen në vend, veçanërisht me mungesën e trasparencës, më procedurat e fryra burokratike si dhe barrierat tregtare që rëndojnë mbi tregtarët dhe konsumatorët.

Raporti dënon sidomos praktikat e qeverisë që krijojnë barrierë për tregtinë, duke dëmtuar konkurencën si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në tregjet globale. Raporti veçon dy barriera kryesore:

  1. Tarifën e skanimit të mallrave në dogana, të cilën e konsideron taksë të fshehur dhe të paligjshme;
  1. Përdorimin parësor të çmimit të referencës, procedurë që fryn vlerën e transaksioneve për të rritur të ardhurat fiskale në kurriz të biznesve.

Më poshtë po përmbledhim sugjerimet kryesore të raportit për qeverinë shqiptare:

  • Vlerësimi i vlerës së mallrave në doganë të bëhet në çdo rast bazuar mbi vlerën e transaksionit (vlerën që ka paguar importuesi). Metodat e tjera të vlerësimit (përfshi çmimin e referencës) duhet të përdoren vetëm në rastet kur metoda e mësipërme është e pamundur.
  • Të hiqet tarifa e skanimit për mallrat që hyjnë në doganë, pasi kjo tarifë është taksë e fshehur dhe bie ndesh më ligjin. Për këtë qëllim duhet rishikuar kontrata koncesionare me kompaninë private që bën skanimin (Rapiscan).
  • Të hiqet akciza mbi ambalazhin, pasi ajo rrit koston e taksës mbi mallrat duke krijuar një barrë të panevojshme mbi tregtarët edhe konusmatorët.
  • Të ndryshohen ligjet dhe procedurat që çojnë në kontrolle të panevojshme fizike të mallrave në doganë.
  • Të ndryshohen praktikat aktuale që bien ndesh me marrëveshjet ndërkomëbatre të tregtisë, të cilat çojnë në testime të panevojshme të mallrave të importuara.
  • Të pajisen pikat e kontrollit doganor me instrumente moderne për peshimin e mallrave; praktikat për matjen dhe peshimin e tyre duhet të jenë të ngjashme me praktikat ndërkombëtare.
  • Të eleminohen procedurat që kërkojnë paraqitjen e përsëritur të të njejtave dokumenta në zyra të ndryshme, përfshi numrin e dokumentave që duhen noterizuar, të cilat japin informacione identike, por shtojnë kostot për tregtarët.
  • Të respektohen afatet ligjore të përgjigjes ndaj ankesave për çështje taksash.
  • Të reformohet sistemi i agjentëve doganore duke përmirësuar procesin e testimit, trajnimit, licensimit, akreditimit dhe monitorimit të tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>