Shukriu dhe Rroshi: dy standardet e Kryeministrit Rama

Shukriu dhe Rroshi: dy standardet e Kryeministrit Rama

Kryeministri Rama vazhdon të mos shkarkojë nga detyra kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, dënuar më parë nga gjykata italiane dhe akuzuar nga prokuroria shqiptare për falsifikim dokumentash.

Që prej muajit maj, në media janë publikuar vazhdimisht fakte nga e kaluara kriminale e Elvis Rroshit, përfshi një dënim për përdhunim në grup në Itali, dënim për trafik droge në Zvicër dhe përzenie nga Gjermania për arsye ende të paditura.

Në vetëdeklarimin e tij, siç kërkon ligji i dekriminalizmit, Zoti Rroshi fshehu të gjitha faktet e të shkuarës së tij kriminale. Për këtë arsye, pas verifikimeve në vendet përkatëse europiane dhe zbulimit të dënimeve të tij por edhe të pesë identiteteve të ndryshme të mbajtura prej tij, prokuroria filloi hetimin ndaj zotit Rroshi për deklarim të rremë. Fillimisht ai u arrestua, por gjykata vendosi më vonë mbajtjen e tij në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve.

Por edhe pas këtyre konfirmimeve dhe hetimit të prokurorisë, Kryeministri Rama e konsideron Elvis Rroshin ende të denjë për të drejtuar bashkinë Kavajë.

Tjetër qëndrim mbajti Kryeministri Rama, pak javë më parë, ndaj kryebashkiakut të Dibrës Shukri Xhelili, për akuza më të lehta dhe ende të pavërtetuara ndaj tij.

Pasi u bë publike një video, ku Zoti Xhelili u shfaq duke i kërkuar një vajze favore seksuale në këmbim të punësimit, Kryeministri vendosi shkarkimin e tij pa u mbushur ende 24 orë, ndonëse zyrtarisht ai konsiderohet ende i pafajshëm.

Ky është standarti i dyfishtë i Kryeministrit Rama: Elvis Rroshi, i dënuar për dhunim seksual në grup ndaj një minoreneje dhe për trafik droge vazhdon të jetë kryebashkiak, ndërsa Shukri Xhelili u shkarkua vetëm pas publikimit të një filmimi ku ai duket se i kërkon favore seksuale një të rriture, por ende i padënuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>