AKIP – Peticion kundër importit të plehrave

AKIP – Peticion kundër importit të plehrave

Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka kundërshtuar projektligjin e propozuar nga tre deputetë të PS-së për lejimin e importit të plehrave.

AKIP u shpreh sot se nëse Kuvendi nuk ndalon menjëherë shqyrtimin e propozimit për lejimin e importit të plehrave ata do të rinisin protestat dhe do të fillojnë mbledhjen e firmave për të thirrur një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Organizata ka nisur, gjithashtu, një peticion online kundër projektligjit që është depozituar në Kuvend.

Përmes një deklarate publike përfaqësues të AKIP-it janë shprehur se projektligji aktual nuk ndryshon aspak nga ligji i miratuar nga qeveria Berisha. Sipas tyre miratimi i tij do ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash të Europës.

Në vitin 2012, AKIP mblodhi rreth 64 mijë firma për mbajtjen e referendumit kundër importit të mbetjeve, pasi Qeveria Berisha lishte miratuar një ligj që lejonte importin e tyre.

Firmat u dorëzuan në KQZ në mars 2012 dhe në qershor KQZ deklaroi se të paktën 50 mijë firma nga ato të paraqiturat ishin të vlefshme—50 mijë firma është numri minimal i qytetarëve për të kërkuar një referendum.

Në mars të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u shpreh pro mbajtjes së referendumit.

Referendumi ishte planifikuar për t’u mbajtur pas zgjedhjeve të peërgjithshme, por ai nuk u zhvillua sepse në qershor të vitit 2013 në pushtet erdhi Partia Socialiste e cila shfuqizoi nenet e ligjit për importin e plehrave, duke e bërë referendumin të pa nevojshëm.

Tre vjet më vonë Partia Socialiste po kërkon, praktikisht, rimiratimin e ligjit që shfuqizoi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>