Kompanitë Pfizer dhe BioNTech do të kërkojnë autorizimin për një dozë të tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Sipas prodhuesit të vaksinave, një dozë e tretë brenda 12 muajsh do të rrisë shumë imunitetin dhe mbase mund të ndihmojë në mbrojtjen nga variantet e reja të koronavirusit.
Varianti Delta i koronavirusit, ka ngjallur shqetësim në gjithë botën për shkak të aftësisë së përhapjes.
Pfizer dhe BioNTech thanë se ata presin që një dozë e tretë do të jetë efektive kundër variantit Delta dhe se ata do të kërkojnë autorizim në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe rajone të tjera në javët e ardhshme.
Vaksina e Pfizer deri më tash merret me dy doza.
Hulumtimet e shumë vendeve tregojnë se vaksina e Pfizer dhe të tjerat, ofrojnë mbrojtje të fortë kundër variantit shumë ngjitës Delta, i cili po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën dhe tani mbizotëron shumicën e rasteve në Shtetet e Bashkuara.
Por, antitrupat natyrshëm zbehen me kalimin e kohës, kështu që po zhvillohen studime nëse ka nevojë, dhe kur do të duhet të merret një dozë e tretë.
Të enjten, Mikael Dolsten nga kompania Pfizer tha për Associated Press se nga disa hulumtime të hershme rezulton se përmes një doze të tretë nivelet e antitrupave të njerëzve ngriten 5-10 herë më shumë, krahasuar me dozën e dytë.
Pfizer ka publikuar rezultatet e fundit të studimit të Izraelit, ku mbrojtja bie me 67% pas disa muajsh nga doza e dytë.