Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi të hënën se 15 210 doza të vaksinës Pfizer do të mbërrin në Shqipëri të martën. MSH kishte njoftuar se do të vinin të hënën, por përmes një njoftimi ministria tha se dërgesa e tyre do të shtyhet me 24 orë.
“Sapo kemi marrë njoftim nga kompania dhe autoriteti përgjegjës për transportin e sigurt të vaksinës, se sasia e vaksinave Pfizer, e konfirmuar për të mbërritur mbrëmjen e sotme, shtyhet me 24 orë”, njoftoi MSH.
Ministria tha se procesi i vaksinimeve po vijon sipas planit në qendrat e vaksinimit, me vaksinimin e personelit shëndetësor dhe grupmoshën +80 vjeç, sipas fashave të përcaktuara.
Të hënën ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se 15 210 doza të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë të hënën. Gjatë interpelancës në Kuvend ajo u shpreh se deri më tani janë vaksinuar mbi 13 mijë qytetarë.
Manastirliu pohoi se brenda dy javëve do të vijnë dhe 14 400 vaksina të AstraZeneca nga skema e COVAX, ku do të nisi dhe vaksinimi i mësuesve.
Shqipëria ka marrë aktualisht 17 355 doza të vaksinës së Pfizer. Sipas kontratës me kompaninë, në fund të shkurtit duhet të ishin dorëzuar rreth 40 mijë doza por ky afat është shtyrë për në mars.