150 mijë hektarë pyje rrezikohen nga sëmundja e pishës

Nga Erblin Vukaj
150 mijë hektarë pyje rrezikohen nga sëmundja e pishës

Rreth 14 për qind e sipërfaqes pyjore në Shqipëri rrezikohet nga sëmundja e procesionares së pishës. Qeveria e konsideron “cikël biologjik”, të cilin po shqyrton “ta kurojë” me ndihmë nga Turqia.

Në fund të vitit 2019 dhe gjatë muajit janar, raportime në media ngritën shqetësim për përhapjen e procesionares. Në zona pyjore të Korçës, Krujës, Matit e Librazhdit u tha se ishte përhapur insekti, i cili ushqehet me halat e pishave dhe nëse përhapet gjerësisht mund te thajë pemën.

Shqetësues ishte fakti se procesionarja është përhapur edhe në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës, në Krujë. Lëvizja Eco Volis është përpjekur t’i heqë, por përhapja atje është shtrirë në rreth 130 hektarë.

Përballë kësaj situate, 7 deputetë kërkuan interpelancë me Ministrin e Mjedisit Blendi Klosi. Ky tha në Kuvend se nga 1,058,871 hektarë pyje “mbi 150 mijë janë prekur nga sëmundja e procesionares”, por që “vetëm në 40-50 mijë hektarë fenomeni është më i spikatur”.

Nëse vihet në raport, rezulton se 14 për qind e sipërfaqes totale të pyjeve janë prekur nga sëmundja.

Megjithatë Ministri Klosi e përshkroi situatën si “cikël biologjik”, i cili ripërsëritet pothuajse çdo 6 vite që prej vitit 1960.

“[…] nuk është sëmundje e re […] është shfaqur në Shqipëri për herë të parë në vitin 1960 […] Natyrisht fenomeni sot është në një trajtë pak më shumë se herët e tjera. […] Por do të doja të qetësoja opinionin i cili shqetësohet nga ky fenomen, është një cikël natyror i këtij fenomeni, i cili e ka pasur datimin e tij në vitin 2013, një cikël 6 vjetor që insekti nuk zhduket por pozicionohet në shtresat e ulëta dhe sidomos futet në to e del në një cikël të caktuar.”

Ligoraq Karamelo, një prej deputetëve që kërkoi interpelancën me Ministrin, replikoi se “duhet të merren masa të menjëhershme sepse jo vetëm janë tharë shumë pisha, por po rrezikohen edhe shumë të tjera”.

Ministri Klosi u përgjigj se po shihen të gjitha mënyrat sesi mund të ndërhyet. Ai tha se për këtë çështje Shqipëria po bashkëpunon me Turqinë.

Fole e insekteve të procesionares shkëputur nga një pishë.

Procesionarja mund të hiqet me mënyra mekanike, biologjike, bioteknologjike dhe kimike. Por vetëm mënyra mekanike mund të kryhet gjatë dimrit, çka do të thotë se procesionarja mund të vazhdojë më tej përhapjen.

  • Ndërhyrja mekanike: Pemëve u priten degët ku jane folete e insekteve dhe asgjësohen me djegje. Kryhet gjatë dimrit.
  • Ndërhyrja bilogjike: Përhapet një bakteri që vret insektet. Është e kushtueshme dhe zbatohet kryesisht muajve shtator-tetor.
  • Ndërhyrja bioteknologjike: Vendosen kurthe të veçanta për të reduktuar riprodhimin e insekteve.
  • Ndërhyrja kimike: Spërkaten preparate kimike që vrasin larvrat.

Për procesionaren, në vitin 2015, Ministria e Mjedisit miratoi ndërhyrje mekanike në pyjet e rrethit të Korçës dhe të Devollit. Rreth 340 punonjës u angazhuan për të pastruar rreth 4,000 hektarë pyje.

Shqipëria nuk ka inventar kombëtar për pyjet. Ministria po punon me një projekt të mbështetur nga Banka Botërore për inventarizimin dhe regjistrimin e tyre brenda vitit 2020.

Pas reformës territoriale, pyjet u kanë kaluar në administrim bashkive, megjithatë parqet kombëtare menaxhohen nga agjenci të Ministrisë së Mjedisit, siç janë agjencitë e zonave të mbrojtura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>