Presidenti Nishani kishte planifikuar të priste në Presidencë ambasadorët dhe krerët e misioneve shqiptare në botë, të cilët ndodhen në Tiranë për mbledhjen e tyre vjetore në Ministrinë e Jashtme.
Për takimin, Presidenti kishte dërguar ftesa individuale, por në mënyrë të pashpjegueshme nuk kishte ftuar Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe zëvendësat e tij—edhe pse formalisht nuk ka qenë i detyruar ta bënte.
Ftesë nuk kishte as një i ngarkuar me punë në Vatikan, Zoti Visar Zhiti, ndoshta për shkak të faktit që ai u emërua në këtë post pasi Zoti Nishani nuk e dekretoi ambasador—vendim brenda kompetencave të qeverisë, por qartasi shkelje e vullnetit të Presidentit.
Nga ana tjetër, është po aq e pashpjegueshme pse Ministri Bushati dhe vartësit e tij vendosën të shkojnë tek Presidenti pa qenë të ftuar prej tij.
Gjithsesi, ata janë penguar të hyjnë nga rojet e Presidencës dhe duket se për këtë arsye janë konfliktuar me to, veprim absurd dhe banal.
Mbas këtij incidenti, Presidenti ka anulluar takimin me ambasadorët edhe pse ata, tashmë, ishin futur në sallën e pritjeve të Presidencës në pritje të vetë Presidentit.
Të nesërmen, Presidenti u ka dërguar një mesazh shpjegues mbasadorëve për turpërimin dhe injorimin që iu bëri, ku është shprehur se ka qenë i detyruar ta anullojë takimin, për shkak të “një incidenti shumë të rëndë që shkaktoi Ministri i Punëve të Jashtme dhe stafi i MPJ në dhunim të institucionit.”
Mbasi e fyu vetë “institucionin” e Presidentit duke u sjellë si fëmijë qejfmbetur dhe duke përçmuar dinjitetin e dhjetra ambasadorëve, Presidenti Nishani ka paturpësinë të quajë “shumë të rëndë” dhe “dhunim të institucionit” një veprim thellësisht banal dhe të panevojshëm të Ministrit të Jashtëm.
Ndoshta, Komandanti ynë i përgijthshëm, edhe pse më formim ushtarak, duket se nuk e ka idenë se ç’do të thotë ngjarje e rëndë.