Soji i gruas — në vargje të lira

Nga Dituri Meçi Dizdari
Soji i gruas — në vargje të lira

U linda femër. Prill.

Sythet, bulëzat, poleni… pikojnë farëza lulesh, dritë fosfore, yje qiellit, freski gjethesh… ëndrra vallëzon vivalde të bardhë qiellorë, simfonia e pambarimtë e orkestrës së yjeve, nuk ndalet.
Bëja nazen… edhe se vajzuke nuk mësova asnjëherë të bëj diçka o dikë për vete, sepse më duhet të vuaj, kur lulet këputen, kur lepurushët mbyllin për fare flegrat e hundës, të hesht e të shtangem, e pagojë, kur në shtëpinë tonë, në dhomat e mëdha, të më mungojë përjetësisht fytyra ëngjëllore e sime motre, një vit pas meje, më e vogla, vetëm 5 vjeç.
Prandaj stepem, të dal nga përtej ujrave të buta. E di, e ndjej ndryshimin, ndaj s’më bëhet të vij këtej…

…si do ia vëmë emrin, më gurgullon ime më… duke dalë nga porta, im atë, një burrë i gjatë, i hijshëm, miku im më i mirë, foli pa kthyer kryet,…

Dituri… vetullat e mamit u ngritën përpjetë.
Pse habitesh o ma… babi kish pritur të vinte Beniamino Gigli, pas lindjes së Pulëbardhës së parë.
Përfundem kësaj toke të zezë, 11 muaj e 5 ditë, pas motrës së madhe, ndryshe nga ajo që nxitoi të gëzojë veten pa mbushur ende 7 muaj, në shtatin e nënës time të bukur.

… kujtesa e parë, në këtë zallahi bote, qëkurse linda, ajo që nuk mund t’a harroj, është një përpjekje titanësh e imja, për t’u ngjitur në krevatin ku fle. Kacavjerras, gjymtyrët e tejdukshme, si qelq, nuk binden, e unë, nuk ngjitem që nuk ngjitem dot… krevati është i lartë…
…e pse nënë t’u desh, këtij globi barutmbajtës, lulet t’i tregoje, pjalmin… farën e saj me pekule, në gur t’a mbillje… harlisen zërat… e ajo sfilitja vetë, shkëmbit t’i gjejë plasën, e të lulëzojë… zërat e geneve luajnë tangon e përjetshme… herë bashkë e herë të ndarë me sojin e gruas, me farëzën e femrës X…

…edhe njëqind herë sikur të ngjizem, përsëri do të lind femër, valë deti…
Qënie hyjnore, mbaj në shpirt dhe trup, vetë ëndrrën, rezen e parë të agut, dritë që lëbyr sytë, çdo sekondë të ditës e jetoj për ta, janë vetë jeta ime, ata, fëmijët e mi.
Më mjaftojnë, për të qenë gjithçka jam… bijë, motër, grua, nënë, e lirë, e bukur, lule lofate në ballkonin tim… për të qëndisur ditë pas dite me të gjitha farfuritë e ylberit, pëlhurat e kohës…
… arkimedi im, më rrëzon honeve të lumturisë… gëzohem, fëmijë i vogël… hepohem kujtesës, gratë e jetës time… oazi i genit më përkund, troket fort zemra në portën e jetës… ne jemi shumë… ne jemi shumë…

Grua… pedagoge, ekonomiste, natyraliste, inxhinjere, punëtore, shtëpiake, shkrimtare, piktore, grua që punon tokën, ti që zgjat dorën, shitëse, police, ministre,deputete,mjeke, infermjere… na bekoi perëndia, të projektojmë yje qiellit, t’ia ndezim kupolës së tij dritat, një e nga një… dhe ky është fat, dhe kjo është përgjegjësi, dhe për të vërtetën para zotit, ne, vetë ne, u blatuam për ngjizjen e farëzave të jetës, për rritjen me pekule të ëngjëjve tanë… faleminderit o Zot që na zgjodhe ne, femrën…

…udhët janë pa krye… fusha e brof dhelprën sa hap e mbyll sytë, e çel rrëpirën pa kuptuar, gruaja e sojit lëndohet, goditet… fishken sytë e bukur netëve të trishtimit… bijë e ëndrrave qiellore, tokës çapitet… ngrihet në këmbë, rëzohet e prapë ngrihet…

… nga zyra e ministres bionde, sapo del një vajzë fytyrëkuqe nga furia e gjakut… mbrapësoj nje hap si të më qëllojë dikush fort…
… dipllomë në Oksford … e çë pastaj… t’a mbylli gojën
…shtriga… ka pretendime…
…eshtrat e shpirtit dhembin…
Shumë si ti e kanë pushtuar shtetin, shoqërinë… vuaj unë… shoqata pa fund grash veç për gruan s’u ha meraku… pështjellohet nervi… vetëm në emër të grave flasin… gratë, që vetëm gra nuk janë…

…përflasin, shpërfillin, përbuzin, lakmojnë… cënojnë abuzojnë, dhunojnë, vjedhin, tradhëtojnë, kurvërojnë, kërcënojnë, hakmerren… piramida të frikëshme pushtetesh për të ngritur… evereste parash gjaku…

…kush, ajo?… do ia nxij jetën… turfullon specialistja e hipotekës… Strasburgu ngjan tani më i ftohtë se poli i veriut…

…ç’të bëj se të njoh, se e di çfarë të bëj unë ty… më hakërrehet gruaja e ministrit… njihem me të që nga zyrat e baba Stalinit…
…do ia bllokoj të gjitha sa shkruan…
…do ia këpus gjuhën… 36 shkronjave iu bie vilani…
…Rozenbergu yt, unë… …pise… çpon, revolta

…debile, e di se me kë flet… kujton se mund të matesh me mua… ngre oktavën e shtatë drejtoresha e bashkisë… qytetares i ikën fryma…

…shpifësira… pabuksja… fshatarja… juristja e bankës, nuk njeh revansh…
…u bëtë ju… morracaket e mutit…
qelqet e shpirtit thyhen…

…Jago grua… klith zemërimi

…kush je ti bijë kurve, kush të ka pjellë ty (brit geni im)… luan me globin, si macja me miun… putra e tigrit shkel çdo grua soji që kërkon ndihmën tënde, të drejtën, ligjin… mundin e saj vret, sakrificën… vetë dashurinë helmon, gjarpër me dy kokë e dyzet këmbë… shpif, mashtron…

… ke vrarë gruan, familjen ke vrarë… lotët nuk gjejnë portë për të dalë… në mjerim të mjerat, në varfëri të varfrat…

…o gra, hije zeza… kur prekni dhe lëndoni vetë gratë… kombin kini vdekur…
…sytë e shpirtit ajrisin xixa… gruaja e sojit tkurret për vdekje…

o grua, që grua nuk je, me ty e kam… mllefi nuk më le…

…çfarë fëmije po rrit ? …çfarë kombi… për fatin e zi të kombit… në gjerdhe vesesh e vendos, urrejtje fryme…
…është fëmijë i botës, i pambrojtur, i pafajshëm… është në dorën tënde… ka dhimbje, është i varfër, i sëmurë… a nuk e sheh… nuk e ndjen… nuk regëtin gjak në venat e tua… nuk ke zemër ti?

Ti grua, jashtë sojit të gruas…

Edhe njëqind herë sikur të ngjizem, unë Dituria, përsëri do të lind femër… valë deti, pa pushim do godas, e do plasaris e t’a bëj copë e çikë shkëmbin…

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>