16 gra e vajza të vrara nga dhuna në familje në 2018-ën

Nga Alice Elizabeth Taylor
16 gra e vajza të vrara nga dhuna në familje në 2018-ën

Ky shkrim është publikuar më parë në blogun The Balkanista.

16 gra dhe vajza humbën jetën nga dhuna në familje në Shqipëri vetëm gjatë vitit 2018. Ndërkohë gjatë 8 viteve të fundit 106 gra dhe vajza janë vrarë dhe masakruar, 73 prej të cilave janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.

Vetëm gjatë 2018-ës, 4 mijë urdhëra mbrojtjeje iu dhanë grave dhe vajzave nga gjykatat në gjithë vendin.

Dhuna në familje, në Shqipëri, vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e popullsisë. Sipas INSTAT dhe UNDP, rreth 53 për qind e grave (rreth 750 mijë gra) janë shprehur se kanë qenë viktima të dhunës në familje të paktën një herë në jetën e tyre.

Përhapja e dhunës në familje është edhe më e madhe, sepse shumica e rasteve nuk denoncohen dhe të mbijetuarit e dhunës në familje e konsiderojnë këtë çështje si personale.

“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz”, – shkroi Ariela Murati, një student 22 vjeçare e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, e cila u vra më 21 janar 2018.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), një organizatë e rëndësishme për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në vend, me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit për Eliminimin e Dhunës Gjinore, përmes një deklarate publike, shprehu shqetësim të thellë për situatën e rëndë të dhunës kundër grave dhe vajzave në Shqipëri.

“Shqipëria po kthehet në një shesh beteje për të drejtat e grave dhe vajzave! Nga njëra anë kemi një lëvizje gjithnjë në rritje të shoqërisë për arritjen e barazisë burrë-grua, por nga ana tjetër vlerat tradicionale dhe kulturore që e shikojnë dhe e trajtojnë vajzën dhe gruan si pronë prodhojnë dhunë dhe vrasje! Në këtë drejtim, përgjegjësi kryesore mbajnë bashkitë kudo në Shqipëri, pasi në 28 vjet nuk kanë arritur të ndërtojnë thuajse asnjë shërbim komunitar për fuqizimin e familjeve dhe zgjidhjen e konflikteve”, –u shpreh Altin Hazizaj, drejtor i CRCA-së dhe anëtar i Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore në Shqipëri.

Të dhënat tregojnë se viktimat e dhunës në Shqipëri përballen me mungesën e shërbimeve sociale dhe indiferencën e institucioneve publike. Shërbimet për familjen nga bashkitë dhe komuniteti, pothuaj nuk ofrohen fare pavarësisht se bashkitë e kanë për detyrë ti ofrojnë këto shërbime.

Ndërsa parandalimi i dhunës apo mësimi i modeleve të reja për zgjidhjen e konflikteve dhe komunikimin tek fëmijët dhe të rinjtë ende nuk kanë dhënë ndikimin e pritur.

Femrat e vrara në 2018-ën:

– 20 janar 2018, vritet pranë Fakultetit të Mjekësisë, studentja 22-vjeçare A.M., në Tiranë;
– 21 janar 2018, vritet në shtëpinë e saj, 73-vjeçarja S.H., në qytetin e Vlorës;
– 5 prill 2018, vritet Z.T., 68 vjeçe, nëna e 6 fëmijëve në shtëpinë e saj;
– 27 prill 2018, vritet në shtëpinë e saj, gruaja S.SH., 58-vjeçare në Shkodër;
– 27 maj 2018, vritet 52-vjeçarja E.T. në shtëpinë e saj, pas shumë goditjeve vdekjeprurëse;
– 30 maj 2018, vritet në automjetin e saj, 34-vjeçarja, F.N., madje në sy të fëmijës së mitur;
– 7 qershor 2018, vritet në shtëpinë e saj nga djali, nëna 50 vjeçe, Z.S. në Peshkopi;
– 8 qershor 2018, vritet në shtëpi, 40-vjeçarja, A.Sh., nëna e 6 fëmijëve;
– 9 qershor 2018, duke shkuar në shkollë për të, vritet në mes të rrugës 18-vjeçarja XH. Ç.;
– 10 qershor 2018, vritet dhe hidhet në rrugë, trupi i 20-vjeçares, A. M.;
– 4 korrik 2018, vritet në banesën e saj 61-vjeçarja S. L. në Elbasan;
– 15 korrik 2018 vritet në Shkodër pranë fëmijës 1 vjeç, S.N. vajza 25-vjeçare.
– 10 gusht 2018, vritet Perrie Zykaj, 78 vjeç; Vasilika Zykaj 40 vjeç; Sara Zykaj, 15 vjeç dhe Afërdita Zykaj 47 vjeç.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>