Bashkia Tiranë, komunalja, ekonomia dhe marjuana

Nga Ilmi Rehova
Bashkia Tiranë, komunalja, ekonomia dhe marjuana

Pak ditë më parë, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj postoi në rrjetet sociale pllakatën e mëposhtme, e cila përcjell mburrjen e argumentuar shkencërisht se, si pasojë e politikave të Bashkisë Tiranë, është rritur me 16 për qind vlera e shtëpive tona.

Që të mos ketë asnjë grimcë dyshimi për shkakun e rritjes, Kryebashkiaku e shoqëroi pllakatën me burimin “Banka e Shqipërisë” dhe shënimin premtues “Do vazhdojmë me investimet!”

Përveç notave të zakonshme vetëlëvduese, pa hir dhe pa klas, dhe përtej qasjes sovjetike propagandistike, pllakata ka një veçanti—ajo shënon, ndoshta, rastin e parë kur Zoti Veliaj kapërceu fushën e punëve komunale, duke promovuar sukseset e tij të supozuara si politikëbërës ekonomik, zakonisht fusha e punës së një kryeministri.

Ose të paktën ky mund të ketë qenë qëllimi, pasi në praktikë ka dështuar në mënyrë spektakolare, duke dëshmuar padije elementare në punë të politikave ekonomike.

13901422_10154432419316926_6306480273649359629_n

Siç shihet, pllakata tregon nivelin e rritjes së çmimit të banesave në Tiranë (të quajtur kinse “vlerë” për arsyen që shpjegojmë më poshtë). Është dije elementare ekonomike se rritja e çmimeve matet mbi bazë vjetore, pra nëse thuhet se çmimi i një artikulli u rrit 2 për qind, do të thotë se çmimi është rritur 2 për qind krahasuar me muajin përkatës të një viti më parë dhe jo të muajit parardhës të të njejtit vit.

Kështu, në rastin tonë, rritja e çmimit të banesave me 11,2 për qind për tremujorin e parë të 2016, siç pohohet në pllakat, do të thotë se çmimet e shitjes së banesave gjatë këtij tremujori ishin 11 për qind me të larta se ato të një viti më parë, pra të periudhës janar-mars 2015. E njejta gjë edhe për tremujorin e dytë.

Për këtë arsye rritja vjetore e çmimeve nuk përftohet si shuma artimetike e rritjeve mujore, por si një mesatarizim i tyre (pak më i ndërlikuar se mesatarizimi i thjeshtë). Për ta ilustruar këtë koncept me një rast elementar: nëse rritja e çmimeve për çdo muaj të vitit 2016 do të ishte 2 për qind, atëhere rritja vjetore e çmimeve për gjithë vitin 2016 do të ishte po 2 për qind, dhe jo 12×2=24 për qind.

Sikurse thamë kjo është njohuri elementare për çdo ekonomist, por si duket jo për ekonomistët e Bashkisë Tiranë. Sikurse shihet në pllakat, Bashkia i ka rënë shkurt: ka mbledhur rritjen e tre mujorit të parë me atë të tre mujorit të dytë dhe… voilá: “vlera” e shtëpive tona është rritur (11,2 +5,2), pra mbi 16 për qind.

(E tepërt të ankohesh edhe për faktin se Bashkia përdor, alla amerikançe, pikën dhjetore dhe jo presjen dhjetore, siç e kemi në shqipçe).

Por injoranca ekonomike nuk është “mëkati” i vetëm i pllakatit. Më i rëndë është fakti se Bashkia, në mënyrë hilacake, flet për “vlerë” dhe jo për “çmime” të banesave. Në fakt, bëhet fjalë për rritjen e çmimeve të banesave. Madje Banka e Shqipërisë, që citon Bashkia, i ka publikuar të dhënat me emërtimin e qartë “çmimi i banesave”, por Bashkia e ka riemërtuar “vlera e banesave” (në një kontekst të caktuar vlera dhe çmimi janë e njejta gjë, por ky është diskutim tjetër.)

Kjo do të thotë se, në realitet, Bashkia i ka thurur lavde vetes që ka rritur (indirekt) çmimet e banesave në Tiranë!

Ky është lajm i mirë për ata që duan të shesin, por lajm i keq për ata që duhet të blejnë banesa. Ata që duan të sheshin janë kryesisht ndërtuesit e mëdhenj; kurse ata që duan të blejnë janë kryesisht çifte të reja dhe të rinjtë në përgjithësi, ata që vendosen në Tiranë nga qytete apo vende të tjera, ata që duan të zgjerohen se janë shtuar me fëmijë—pra, përgjithsisht njerëz me të ardhura mesatare apo nën mesataren, mbi të gjitha të rinjtë.

Kjo do të thotë se pllakati bën me dije se delijorgjët dhe sarapulët tani do të fitojnë më shumë para, kurse arbenëve dhe mirave do ju duhen më shumë kursime për të blerë shtëpi dhe mund të mos e blejnë dot më me çmimet e rritura.

Së fundmi, edhe një koment tjetër edhe pse ky është disi spekulativ, në mungesë të të dhënave të sakta. Pretendimi i Bashkisë se “vlera” e shtëpive është rritur për shkak të investimeve të saj në infrastukturë janë të pabaza dhe pa gjasa as teorike (është një paralelizëm me botën perendimore, kryesisht SHBA-të, shpejgimi i të cilit është i tepërt këtu.)

Që çmimet e banesave të rriteshin, duhet të ishte rritur kërkesa për banesa. Kjo e fundit rritet kushtëzohet nga të ardhurat (apo fuqia blerëse). Të njejtat burime qe u referoeht Bashkia—Banka e Shqipërisë dhe INSTAT—tregojnë se të adhurat e qytetarëve të Tiranës (pagat) nuk janë rritur në këtë periudhë—pra, ato nuk mund të shpjegojnë rritjen e çmimeve. Ndërkohë, ekziston kudo pesimizëm mbi pritshmërinë e të ardhurave apo mirëqenies në të ardhmen, që ndrydh kërkesën dhe ndikon negativisht çmimet.

Nga ana tjetër, shumë qytetarë po largohen çdo ditë nga vendi dhe shumë të tjerë planifikojnë të largohen. Kjo gjë ka ndikuar negativisht kërkesën për banesa të reja dhe ka rritur, deri diku, ofertën e banesave, pasi një pjesë e atyre që ikin duan t’i shesin banesat. Edhe ky faktor ka ndikuar negativisht çmimet e banesave.

Por është fakt që çmimet janë rritur.  Nje shpjegim mund të jetë ulja e ofertës, pra dhënia e më pak lejeve të ndërtimit apo përqëndrimi i tyre në pak duar, të cilat komandojnë çmimin në mënyrë oligopoliste. Mundet, por kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë në afatshkurtër, sidomos kur kudo ka apartamente të pashitura.

Atëherë, çfarë i ka rritur çmimet e banesave në mënyrë të beftë? Një shpjegim i arsyeshëm është: marjuana.

Trafikimi masiv i marjuanës ka rritur të ardhurat për dy kategori me ndikim të rëndësishme në sektorin e pasurive të paluajtshme të Tiranës: kriminelët, dhe banorët jashtë Tirane që duan të vendosen në Tiranë.

Sasitë marramëndëse të marjuanës që po kultivohet dhe trafikohet në gjithë vendin, kanë po sjellin fitime të mëdha për trafikantët, të cilët paratë e tyre i investojnë zakonisht në pasuri të patundshme, para së gjithash banesa dhe mjedise të tjera në godina rezidenciale.

Trafiku i marjuanës ka sjellë, gjithashtu, “pasuri” të beftë për qindra apo mijra familje dhe individë në zona të ndryshme të vendit, duke u dhënë atyre mundësi të blejnë banesa në Tiranë, për t’u vendosur vetë apo fëmijët e tyre, çka është synimi i një pjesë të madhe të popullsisë që jeton jashtë Tiranës.

Si rezultat, është krijuar një rritje e beftë e kërkesës për banesa në Tiranë që ka çuar në rritjen e çmimeve të tyre.

Bashkia mund të vazhdojë të investojë, sikurse pretendon kryebashkiaku Veliaj, por marijuana punon më shumë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>