17 shtatori që (nuk) e ndryshoi Shqipërinë

Nga Marlin Muça
  17 shtatori që (nuk) e ndryshoi Shqipërinë

Protesta e 31 marsit kundër vendosjes së tarifës për Rrugën e Kombit krijoi një standard të ri reagimi qytetar. Vendosmëria dhe guximi i kuksianëve paraditen e atij fundi marsi jo vetëm që shpëtoi Kukësin dhe rrethinat nga haraci koncesionar, por i dha leksion pjesës tjetër së Shqipërisë se si protesta mund të ndryshojë efektivisht një vendimmarrje të caktuar. Djegia e traut  ngriti  pritshmërinë , të cilën asnjë prej protestave 6 muajt e fundit nuk arriti ta tejkalojë. Ata që mund të dilnin mbi veten ishin kuksianët. Të frikësuar nga terrori policor dhe të përçarë prej politikës, banorët trima që sfiduan shtetin 6 muaj më parë, u stepën e u strukën brenda shtëpive të tyre paraditen e 17 të shtatorit.

Protesta e 17 shtatorit kishte muaj që bluhej në rrjetet sociale. Një thirrje e pazotë, më shumë si shprehje e frustrimit  ndaj arrogancës e cinizmit therës të Ramës,  mbushi  kryefaqet e shumë personave publikë në Shqipëri  por pa një plan të qartë veprimi dhe strukture që do te organizonte e orientonte  protestuesit.  Mëngjesi i asaj dite i gjeti shqiptarët para ekranit të televizorit apo kompjuterit në pritje të skenave të ngjashme të 31 marsit. Në 31 mars, por edhe në 17 shtator, e gjithë Shqipëria ishte me sytë nga Kukësi, si qyteti i vetëm ku reagimi qytetar kishte triumfuar mbi autokracinë dhe oligarkët që qëndrojnë pas saj. Pritja qe e kotë.

Pakkush e dinte se Kukësi kishte mbi një javë nën rropullimën e blindave dhe furgonave me xhama të zinj të Forcave Speciale. Postoblloqet dhe kërkëllima e gomave gjer në mesnatë krijoi një klimë lufte mbi qytetin dikur kandidat për çmimin Nobel. Burra me maska dhe të armatosur rëndë patrullonin rrugët e qytetit duke paralajmëruar raprezalje në rast se njerëzit vendosnin të dilnin e të ripërsërisnin skenat e 31 marsit. Terrori policor pati sukses. Mëngjesi i gjeti kuksianët të huaj në shtëpinë e tyre. Tashmë qyteti i përkiste dikujt tjetër. Madje dhe e drejta për të dalë nga ai  nuk ishte më në dorën e tyre.

Dështimi qe po aq spektakolar sa dhe triumfi. Si reagimi, ashtu edhe heshtja e kuksianëve ka diçka të veçantë. Vetëm një popull i gjendur prej shekujsh në anën e errët e të përgjakshme të historisë është i aftë të japë një mesazh të fuqishëm si në kulmin e lavdisë së tyre, ashtu dhe në abisin e një disfate morale. Mesazhi përmban një kumt për të gjithë shqiptarët: Diktatura përparon në gjurmët që frika dhe nështrimi ynë lënë pas. Çdo protestë e dështuar, çdo gazetar i mërguar,  krijon hapësira bosh që e mbush mitingu dhe prozelitët e pushtetit. Rënia e Kukësit gjymtoi përfundimisht demokracinë në agoni të shqiptarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>