Vera klienteliste e teksteve shkollore digjitale

Vera klienteliste e teksteve shkollore digjitale

Viti i ri shkollor fillon në shtator. Zyrtarisht, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka kërkuar, me anë të një udhëzimi më datën 30 maj 2016 tekste digjitale të cilat duhet të dorëzoheshin me datën 10 korrik 2016—pra, tekstet duhet të përgatiteshin nga fundi i muajit maj deri në javën e parë të muajt korrik.

Në këtë konkurs të tekstit digjital do të merrnin pjesë vetëm fituesit e konkursit të librit fizik. Për shembull, nëse një shtëpi botuese kishte fituar konkursin për librin fizik të matematikës kishte të drejtë të merrte pjesë edhe në konkursin digjital, për të krijuar një variant digjital të librit të tyre.

Një pjesë e shtëpive botuese reaguan ashpër ndaj këtij udhëzimi të nxituar të Ministrisë së Arsimit duke i mëshuar faktit se është realisht e pamundur që të krijohet një libër për 5 javë.

Më datën 8 korrik, Ministria shpalli fituesit e konkursit të librit fizik dhe kërkoi që të gjithë botuesit fitues të dorëzojnë libra digjitale me datën 10 Korrik. Por, për arsye të këmbënguljes së botuesve për këtë afat të pamenduar, Ministria, më 14 Korrik, vendosi që të hedhë në faqen në rrjet një shkresë, pa lajmërim, e cila informonte që konkursi për librat digjitale shtyhej për më 21 korrik.

E bindur në atë që donte të realizonte, me datë 14 korrik Ministria nxori një udhëzim të ri me të cilin shfuqizoi një fjali nga Udhëzimi i datës 30 Maj. Më konkretisht, shfuqizoi fjalinë që fton në konkursin e tekstit digjital vetëm shtëpitë botuese që kanë fituar librin fizik. Pra, u dha mundësinë edhe botuesve jofitues që të merrnin pjesë në një konkurs të ri.

Nëse një libër është gjykuar jo i përshtatshëm me programin dhe nuk ka fituar konkursin, si mundet atëherë që të jetë “i përshtatshëm” në variantin e tij digjital?

Sido që të jetë, ky lëshim, tërësisht i padrejtë, u dha hapësirë disa prej shtëpive botuese, përfshi atë Albas, të hynin sërish në konkurs me libra të cilat ato i kishin humbur. Madje, ndryshe nga herët e tjera, Ministria e Arsimit nuk i njoftoi më botuesit siç bën zakonisht, por vetëm nxori njoftimin zyrtar në faqen e saj.

Një burim, që nuk dëshiron të identifikohet, pohoi se Albas, shtëpia botuese për të cilën ka punuar vetë Zonja Ministre si autore tekstesh para se të bëhej ministre dhe disa të tjera u lajmëruan posaçërisht, kurse të tjerëve duhet t’ju shkonte mendja të kontrollonin faqen e Ministrisë në rrjet për të marrë vesh qëndrimin e ri të Ministrisë. Por kjo është e parëndësishme.

Dhe, natyrisht, librat digjitalë (përfshi ata të cilët ishin jofitues në konkursin e librit fizik) u prodhuan për dy javë. E ç’mund të thuhet për këtë konkurs? Një konkurs ku për disa lëndë/tekste digjitale kishte vetëm një konkurrent apo botues që krijojnë libra dixhitalë për dy javë, e për më tepër libra që komisionet vlerësuese anonime i kanë gjykuar jofitues.

Por për fat të keq, çuditë nuk mbarojnë me konkursin dhe fituesit e tyre.

Pas konkursit, përpos zhgënjimit të të gjithëve, Ministria nxori më datë 30 gusht në mbrëmje një udhëzim të ri, me anë të të cilit u njoftuan të gjitha drejtoritë arsimore dhe shkollat e vendit që me datë 31 gusht, pra të nesërmen, do të ndodhte përzgjedhja e teksteve digjitale në 60 gjimnazet më të mira te vendit, duke nxjerrë tërësisht jashtë loje tekstet fizike, pra tekstet normale.

Duhet sjellë në vëmendje se për disa lëndë, katalogu i teksteve digjitale përmban tanimë vetëm një alternativë dhe, në shumicën e rasteve, atë të shtëpisë botuese Albas.

Pra, gjithë librat e tjerë dalin jashtë loje dhe konkursi i librit fizik del që paska qenë krejt i pavlerë, sepse tanimë Ministria e Arsimit futi në fuqi librin digjital të përfaqësuar nga pothuajse vetëm një shtëpi botuese.

Raportime nga rrethe të ndryshme të vendit si edhe nga shkollat e mesme në Tiranë tregojnë se tekstet digjitale u janë imponuar mësuesve këtë vit, jo vetëm në 60 shkollat pilot të vendit, por edhe në shkolla që nuk njihen si shkolla digjitale.

Si qershia mbi tortë, merret vesh që nxënësit përpos librit digjital të imponuar, duhet të blejnë edhe librin fizik, i cili, të mos harrojmë, ka qenë një libër që nuk e ka fituar konkursin paraprak. Dhe, nuk duhet harruar: platformat digjitale janë shumë të kushtueshme.

Të gjithë treguesit e kësaj vere “digjitale” të çojnë vetëm tek një pyetje: Çfarë fshihet pas tekstit digjital?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>