Qëllimi i Ramës të drogojë Shqipërinë — Pikat kryesore të intervistës së Bashës

Qëllimi i Ramës të drogojë Shqipërinë — Pikat kryesore të intervistës së Bashës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte i ftuar në emisionin Studio e Hapur të gazetares Eni Vasili. Më poshtë janë disa nga pohimet kryesore të zotit Basha gjatë diskutimit me gazetaren Vasili.

 Për qeverinë:

Kjo qeveri flet në fasadë çdo ditë për demokraci, por punon kundër demokracisë. Flet për lirinë e fjalës, dhe shtyp lirinë e fjalës. Flet për luftë kundër krimit, kriminalizohet çdo ditë.

[Qeveria] ka rrënuar ekonominë e vendit.

Qëllimi i Edi Ramës është të drogojë Shqipërinë e shqiptarët. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e kultivuar me kanabis dhe ky është produkt i Edi Ramës.

Mos kujtoni se unë si kryetar opozite fërkoj duart nga rënia pikiatë e këtij pushteti, nga shpërdorimi legjendar i këtij koalicioni, nga kjo vrasje e shpresës.

 Për Partinë Socialiste:

[Uroj] që një parti e madhe si PS të gjejë forcën të shkëputet nga krimi e droga. Një parti e madhe si PS nuk mund të kriminalizohet, pa i shkaktuar vendit gjithë dramën që po shkakton.

Për zgjedhjet vendore në Dibër:

Këto zgjedhje janë zgjedhjet e dibranëve në radhë të parë. Kam parë një situatë shumë të rëndë atje. Një varfëri e tejskajshme.

Pushteti në Dibër është në duar të njerëzve të krimit, të korrupsionit ndaj ka të pakënaqur edhe nga vetë PS-ja.

Në Dibër përballet… modeli i pushtetarëve, i të pasurve, të cilët duan të zgjedhin një kukull për të vazhduar të qeverisin përmes krimit.

Për qeverinë teknike:

E kam kërkuar unë [i pari] dhe i qëndrojmë sërish, sepse Tahiri me Ramën nuk janë dhe nuk do të jenë në gjendje të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për bashkëpunimin me LSI për reformën kushtetuese:

[LSI] nuk i bëri shërbim PD-së se PD ishte e vendosur, por i bëri një shërbim Shqipërisë. E bëri këtë si aleat i Ramës, jo i PD-së. Edhe në këtë moment ka qenë aleat i koalicionin qeverisë.

Për miratimin e ligjit të vetingut pa votat e opozitës:

Nuk mund të pranojmë që të marrë me votat e Armando Prengës me shokë atë që i ndalon kushtetuta. Ne do të ndjekim të gjithë rrugët kushtetuese që çdo ligj të jetë në përputhje me kushtetutën.

[Votimi pro] padyshim ishte qëndrim anti-kushtetues i zotit Meta. Thellësisht anti-kushtetues, motivet i di ai dhe forca e tij politike, ne bëjmë detyrën tonë si opozitë.

Për zbatimin e reformës në drejtësi:

Politikisht do ta quaja dështim total nëse politika nuk preket. Ne sot kemi ardhur për shkak të krizës, pasi elita ka tradhtuar interesat e njeriut të thjeshtë.

Zbatimi i reformës në drejtësi mund t’i hapë derën Shqipërisë për një shtet funksional. Ku i forti, qoftë kriminel, të marrë atë që i takon para ligjit.

Nuk pranova asgjë që nuk do ta pranonit amerikanët. Kjo çoi në një produkt me 140 vota. Atëherë nuk ka vlerë të merresh si arritëm këtu.

Për marrëdhënien me ambasadorin amerikan:

Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ai është një diplomat i shkëlqyer, unë një politikan karriere.

 Për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit:

Ligji nuk po zbatohet. Shteti ligjor ka rënë. Është një shtet i inkriminuar në palcë.

Për mundësinë e një koalicionin PD-LSI në zgjedhjet 2017:

Koalicioni i PD duhet të mbushë dy vlera, që t’i përballet alternativës sonë, të dhënies pushtet qytetarit, përmes rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës të partive politike

Nuk është çështje emrash dhe mbiemrash, por çështje vlerash. Kushdo që i bashkohet kësaj është i mirëpritur tek ne. PD dhe Lulzim Basha po ndërton një koalicion vlerash.

Për rolin politik të PD-së:

Zgjidhjet, idetë që ofron një forcë politike dhe njerëzit që i ofrojnë këto ide ne do t’i zbatojmë nesër.

PD nuk shkon në këto zgjedhje për të humbur, as për të fituar për veten e saj, por për të qenë rreze shprese për qytetarët shqiptarë.

Kemi një Shqipëri të shqetësuar për fëmijët e tyre. Shqiptarët e kuptojnë këtë ndaj roli i opozitës është që t’i ndërgjegjësojë shqiptarët që kjo nuk është rastësi por është produkt i kësaj qeverie.

Për zërat kundra brenda në PD:

Grupi ka pasur debate dhe kjo është shenjë e një kulture të re që po forcohet në PD. S’mund të jemi një parti e gojëve të mbyllura.

Për ndryshime brenda PD-së:

Të gjithë përfaqësuesit e PD-së në parlament do të jenë të zgjedhur me anë të një procesi konkurrues nga anëtarësia e PD.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>