Qindra maturantë protestuan sot, për të tretën herë, përpara Kryeministrisë për të drejtën për të ndjekur studimet universitare. Ata shprehën pakënaqësi për kriteret që Ministria e Arsimit ka vendosur për aplikimin dhe regjistrimin në universitete.
Maturantët thanë se nuk janë informuar për mënyrën se si do të funksiononte sistemi i ri, i parashikuar nga ligjit i ri i arsimit të lartë. Shumë prej tyre deklaruan se neglizhenca dhe mungesa e transparencës së institucioneve arsimore është shkaku se pse shumica e maturantëve nuk kanë arritur të fitojnë të drejtën e studimit në asnjë program, pavarësisht rezultateve të larta gjatë studimeve dhe provimeve.
Ndërkohë që maturantët protestonin, Kryeministri Rama dhe Ministrja Nikolla organizuan një takim me 150 maturantët më të mirë të Shqipërisë në kryeministri. Kryeministri dhe ministrja nuk iu përgjigjën kërkesave e pyetjeve të protestuesve, por nga salla e kryeministrisë deklaruan se sistemi i ri është funksional dhe transparent.
“Në vend që të shikojnë dhe të studiojnë të gjithë skemën dhe të marrin atë që mendojnë që meritojnë, rrinë në rrugë dhe bërtasin. Kjo reformë, shumë e vonuar por e domosdoshme dhe e vështirë për shkak të një sistemi dhe mendësie ndërtuar së prapthi, tani funksionon më së miri, në radhë të parë për më të mirët,” deklaroi Zoti Rama.
Zoti Rama theksoi se reforma në arsimin e lartë është e bazuar në transparencë të plotë dhe konkurrencë.
Artikuj të lidhur:
Pse janë revoltuar maturantët? — Exit shpjegon
Maturantët protestojnë përpara kryeministrisë