Një grua 35 vjeçare dhe foshnja e saj e porsalindur humbën jetën mëngjesin e sotëm në maternitetin “Koço Gliozheni”, në Tiranë.
Ja çfarë dihet deri më tani:
- Viktima me inicialet A.D ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.
- Në mesnatë, ajo ka shkuar në maternitetin “Koço Gliozheni” pasi ka pasur komplikacione.
- Mjekët roje të maternitetit e kanë dërguar pacienten drejt Urgjencës së zemrës, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë. Këta të fundit e kanë dërguar pacienten në Sanatorium, e më pas sërish në maternitet.
- Familjarët e viktimës deklaruan se pacientja qëndroi mbi 20 minuta jashtë spitalit, pasi mungonte barela dhe bombola e oksigjenit për ta transportuar.
- Sipas familjarëve, mjekët roje u treguan neglizhentë dhe nuk erdhën në kohë për t’i dhënë ndihmë gruas. Kirurgu po ashtu ka mbërritur pas dy orësh.
- Rreth orës 05:00 së mëngjesit, familjarët janë lajmëruar nga mjekët se foshnja e sapolindur ka humbur jetën dhe më pas, në 06:10 janë lajmëruar për vdekjen e nënës.
- Autopsia e trupit tregoi se viktimës i ishte çarë shpretka dhe kishte hemorragji të brendshme.
- Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” deklaruan se viktima kur është kthyer nga sanatoriumi ishte pothuaj në kushte të vdekjes klinike. Sipas tyre, çarja e shpretkës konstatohet vetëm me anë të skanerit, të cilin materniteti nuk e ka.
- Mjekët e “Koço Gliozhenit” pretendojnë se viktimës duhet t’i ishte bërë skaneri në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë.
- Prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet dhe kanë shoqëruar mjekët për t’i marrë në pyetje.