Fundjavë politikanësh

Gjatë fundjavës, Kryeministri Rama, kreu i PD-së Basha, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta replikuan me njëri-tjetrin në distancë.

Ndërsa Zoti Basha akuzoi Zotin Rama për bashkëpunim me trafikantët e drogës, ky i fundit iu shmang tërësisht akuzave dhe iu përgjigj Zotit Basha me një “analizë” të fitores së kandidatit të majtë në zgjedhjet e Dibrës.

Kreu i PD-së Luzlim Basha:

Droga po shkatërron procesin politik: sikurse u pa në Dibër, tashmë edhe zgjedhjet i vendosin kriminelët. Edi Rama vetë është me kriminelët.

Kryeministri Rama:

“Dibra e kishte shumë të qartë të votonte kandidatin tonë. Pse dibranët duhet të votonin dhe të shkonin pas zhurmës, baltës dhe daulleve të PD-së?!”

Më të drejtëpërdrejtë kanë qenë në akuzat e tyre kreu i Kuvendit Meta dhe ministri i Brendshëm Tahiri.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta:

“Ka kanabis sot, kishte dje, ka pasur dhe pardje e kështu me radhë. Kjo është një çështje që politika duhet të merret. Nuk mund të themi: kishte dje dhe s’kemi ç’të bëjmë sot.”

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri:

“Kush bën sot sikur çuditet, i shmanget qëllimisht të vërtetës se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013, nga një qeveri e polici që mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë, dhe garantonte fitimet marramendëse të Republikës së Lazaratit!”

Për të mbyllur replikat e fundjavës të qeveritarëve që nuk ofrojnë  zgjidhje, lajmi i parë i së hënës është: Policia kufitare shqiptare nuk kap dot një gomone me 1 ton kanabis megjithëse e ndjek për shtatë orë në det.  Gomonia kapet nga policia kufitare italiane për më pak se sa një orë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>