Perspektivë urbane qeveritare: Sheshi Skenderbej si shesh qoftesh dhe birre

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Perspektivë urbane qeveritare: Sheshi Skenderbej si shesh qoftesh dhe birre

Sheshi Skënderbej është kthyer përsëri në një kantier gjigant ndërtimi me qëllim që të kthehet në një parkim të nëndheshëm nacionalist. Specifikimet teknike projektit të “rikualifikimit urban” të sheshit nuk e përmbajnë një parkim të tillë, ndërkohë që ndërtimi i parkimit do ta zgjasë kohën e ndërtimit të sheshit me më shumë se 1 vit.

Argumenti kryesor me të cilin po shitet kjo punë e shtrenjtë rindërtuese (me gjasa midis 15-20 milionë euro) është se produkti përfundimtar do t’u kthehet qytetarëve të Tiranës në hapësirë publike—një zonë këmbësorësh ku çdo banor mund të kalojë i gëzuar orët e tij të lira, në një mjedis të gjelbër e të shëndetshëm.

Hapësirë publike, zonë për këmbësorë—kush mund të jetë kundër tyre? Prandaj, le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë kupton qeveria shqiptare me “hapësirë publike” përmes dy shembujsh: pedonales ngjitur me Galerinë e rrënuar të Arteve dhe Sheshin Nënë Tereza.

Së pari, Pedonalja. Kjo rrugë mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila lidh Bulevardin kryesor me Sheshin Toptani, ishte një ndër veprat e fundit publike të Ramës si kryebashkiak—një rrugicë nën hijen e pemëve të mëdha, e dekoruar me drita plot ngjyra dhe stola me zbukurime te gjelbërta në formën e notave muzikore të renditura mbrapsht të pjesës “Për Elizën” të Bethovenit (pse dhe si mund të jetë ide e mirë kjo, nuk e kam idenë).

Kur Lulzim Basha u bë kryebashkiak në vitin 2011, një ndër aktet e tij të para publike ishte ta hapte zyrtarisht Pedonalen, vetëm për t’ja dhënë atë menjëherë me qira bizneseve, të cilat e mbushën rrugën me kioska qoftesh të lira, birrari, ekrane gjigante dhe tonelata mbetjesh urbane.

festa-e-miqesise-1
“Festivali i Miqësisë” tek Pedonalja, organizuar nga një kompani birre

Në fillim të gjithë menduan se kjo ishte mënyra si Basha donte të njolloste trashëgiminë urbane të Ramës. Por kur seria e pafundme e festivaleve të birrës, tregjeve të Krishtlindjes, panaireve të miqësisë e me radhë nuk u ndal me ardhjen e Veliajt më 2015, i vetmi konkluzion i arsyeshëm mund të jetë që kjo “hapësirë publike” është, në të vërtetë, thjesht një mënyrë bashkiake për të krijuar të ardhura.

Ndërsa qytetarët e Tiranës duhet të durojnë tymin e pafund të bërxollave, pllakat që ngjisin nga birra, shurrën e të vjellat dhe infrastrukturën publike të shkatërruar nga kompanitë private, pa u ndëshkuar.

mothertheresasquare3-1
Sheshi Nënë Tereza, një herë e një kohë

Rasti i dytë është ai i Sheshit Nënë Tereza. Sheshi është një tjetër pjesë e hapësirës publike të Tiranës që u “rindërtua” fillimisht me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, në vitin 2014. Rindërtimi u zbatua, natyrisht, nga kontraktori “i besuar” i qeverisë, Fusha shpk, dhe përfshiu, ndër të tjera, heqjen e shatërvanit të periudhës socialiste në mes të sheshit.

Atëherë, ky akt vandalizmi u mbrojt si “rehabilitim” i masterplanit, të viteve 1930-të, të Gherardo Bosios, por së fundmi është bërë e qartë se qeveria nuk shqetësohet fare për këtë masterplan, pasi pa asnjë druajtje dhe në mënyrë të paligjshme shkatërroi një nga komponentët kryesorë arkitekturorë të këtij masterplani, stadiumin e Bosios (stadiumin Qemal Stafa). Mund të hamendësojmë se shatërvani u hoq thjesht që të gjithë të mund të shikonin Papën.

Pas vizitës së Papës, Sheshi Nënë Tereza u shpall “zonë për këmbësorë” gjatë mbrëmjeve. Për një sezon të bukur, qytetarët e Tiranës mundën ta gëzonin sheshin siç ju pëlqente—ulur në shkallët që e rrethojnë atë, duke ngarë biçikletat apo me patina, apo thjesht për një shëtitje nga Parku i Liqenit. Por që nga kampionati evropian i futbollit, sheshi është pushtuar nga kompanitë tregtare, të cilat përmes “argëtimit”, birrës, qofteve, ekraneve të stërmëdha, muzikës së lartë dhe reklamave pa fund e kanë bërë të pamundur gëzimin e lirë dhe të patrazuar të sheshit. Rezultati është i njëjtë si me Pedonalen: sheshi shmanget nga qytetarët e Tiranës, ndërsa plehrat bëhen kapi në qoshet e tij. Kaq për sa i përket “rehabilitimit”.

Porta hekuri që bllokojnë hyrjen në Sheshin Nënë Tereza

Kjo situatë u bë më e dhimbshme, së fundmi, kur Nënë Tereza u shenjtërua. Ndërsa sheshi ishte plotësisht i pushtuar nga një tjetër aktivitet biznesi—festivali “Electronic Beats” i Telekomit—Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shpalosën një pllakë përkujtimore në krye të Sheshit.

mothertheresaplaque
Erion Veliaj dhe Mirela Kumbaro duke shpalosur pllakën përkujtimore në Sheshin Nënë Tereza

Nëse i shikon me kujdes fotografitë dhe pamjet filmike të ngjarjes, është e qartë se të gjitha mediat (më gjasa në mënyrë të komanduar) e kanë zgjedhur këndin e pamjeve në atë mënyrë që të mos duken në kuadër reklamat gjigante të purpurta dhe as sheshin e pushtuar— është turpëruese ta nxjerrësh Sheshin në këtë gjendje në ditën e shenjtërimit të personit emrin e të cilit ai mban. Në të vërtetë, nuk kishte asnjë shesh për t’u emërtuar!

Vetë pllaka përkujtimore mbart një ironi të epërme. Jo vetëm që Ministria e Kulturës ka prodhuar një pllakë të shëmtuar, me gabime drejtshkrimore në emërtimin në anglisht, por ajo injoron aspektin thelbësor të shenjtërimit: Nënë Tereza tashmë është—për mirë apo për keq—Shën Tereza.

Pastaj, të quash “të shenjtë” një shesh në të cilin grumbullohen mbeturina në çdo cep dhe qendra e të cilit është kthyer në një ranishte…

Në fund një shënim serioz. Sikurse e tregova me këta dy shembuj, kur qeveria flet për “hapësira publike”, ajo nuk nënkupton asnjëherë një hapësirë e cila mund të gëzohet nga të gjithë qytetarët në paqe dhe në qetësi—përkundrazi, nënkupton një sipërfaqe që do të gëzohet nga qeveria.

Për qeverinë kthimi i një zone urbane në “hapësirë publike” apo “zonë këmbësorësh” nënkupton: 1) ndërhyrje në arkitekturë me anë të projekteve të mëdha të infrastrukturës nga të cilat përfitojnë vetëm bizneset e mëdha të ndërtimit që janë të lidhura me politikën; dhe 2) dhënien, më pas, me qira të hapësirës kompanive tregtare (“partnerë” të qeverisë), të cilët më pas zhvillojnë “argëtim” të lirë: birrari gjigante publike, shikim ndeshjesh në ajër të hapur, zona lojërash etj. Në të vërtetë, ky argëtim dhe këto kompani përfundojnë që zaptojnë në mënyrë të përhershme “hapësirën publike”, duke i larguar njerëzit dhe duke përjashtuar shumicën e qytetarëve të zakonshëm.

Prandaj, kur dëgjoj Erion Veliajn që flet për kthimin e të gjithë qendrës së Tiranës në një “zonë këmbësorësh” më zë një frikë, frikë e madhe.

Hapësirat publike, zonat për këmbësorë dhe parqet —veçanërisht në një qytet si Tirana—duhet të jenë sa më të lira nga zhurmat, si pamore edhe akustike. Ato duhet të ofrojnë një arratisje nga mjedisi i mbipopulluar, i mbindotur, i mbindërtuar në të cilin jetojnë shumica jonë. Pa asnjë dyshim ato nuk duhet ta bëjnë kohën tonë të lirë edhe më të mjerueshme me argëtim idiot, reklama masive, muzikë të lartë, ushqim rruge dhe alkool, të cilët kontribuojnë për uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve.

Hapësirat publike nuk duhet të jenë hapësira që prodhojnë para për qeverinë; hapësira publike duhet të jetë një hapësirë në të cilën gëzohen të mirat jomateriale—jeta e mirë.

Lajme te ngjashme