Franca ka vendosur detyrimin e paraqitjes së çertifikatës së gjelbër për 1,8 milionë punonjësit e shërbimit në kontakt me klientët. Në rast të mungesës së lejes shëndetësore, personi rrezikon të pezullohet pa pagesë nga puna.
Çertifikata e gjelbër tregon ose dëshmi të vaksinimit të plotë kundër Covid-19, një test negativ të kohëve të fundit ose shërimin nga virusi.
Kjo përfshin punonjësit në kontakt me publikun, siç janë punonjësit e sektorit publik, punëtorët e përkohshëm, kursantët, nxënësit dhe nënkontraktorët.
Njerëzit që punojnë në restorante, kinema, muze dhe në trena me distanca të gjata, ku tashmë kërkohej për klientët, janë gjithashtu të përfshirë.
Gjithashtu zbatohet për vullnetarët që punojnë në të gjitha “vendet, institucionet, shërbimet ose aktivitetet” e listuara nga Ministria e Punës, përfshirë bare, teatro, autobusë ose aeroplanë ndër-rajonalë, parqe dëfrimi, kopshte zoologjike, panaire, kazino, diskoteka, seminare, shfaqje dhe disa qendra tregtare.
Për qendrat tregtare me sipërfaqe mbi 20,000 m2, vendimi nëse do të duhet ose jo certifikata i takon prefektit.
Rreth 170,000 njerëz protestuan kundër ketij vendimi në të gjithë vendin të shtunën, për të shtatën javë rresht.
Sektori i restoranteve dhe kafeneve, tashmë i goditur keq nga bllokimet dhe kufizimet e njëpasnjëshme, po përpiqet të ngrihet në këmbë. Shumë biznese kanë vënë re një rënie të klientelës.
Më shumë se 43 milionë njerëz në Francë (64.6 përqind) janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, sipas shifrave të fundit të autoritetit shëndetësor.