Fatos Lubonja: Veting të pasurve shqiptarë

Fatos Lubonja: Veting të pasurve shqiptarë

Në një shkrim për gazetën Panorama, Zoti Fatos Lubonja ka bërë një analizë të thelluar lidhur me ligjin e importit dhe riciklimit të plehrave, ndikimin e tij në ekonomi dhe politikë.

Zoti Lubonja, për ta zhvendosur debatin e ditëve të fundit mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të ligjit, nga emocionet drejt një debati më racional ngre disa pyetje:

Si ka mundësi që në Shqipëri, tash 25 vjet, kategoria e njerëzve që është e dhënë pas pasurimit zhvillon thujase vetëm industri nga ato që janë kundër interest publik?

Pse s’kemi rëndom të pasur të fuqishëm që vijnë nga bujqësia, blegtoria, agroturizmi, industria e përpunimit të produkteve ushqimore, por kush merret me këto është krejt margjinal në raport me pasanikët që vijnë nga investimet rëndom kundër interest publik?

Pse këta të pasurit tanë kanë nevojë të korruptojnë politikën dhe hartojnë thuajse gjithmonë projekte që janë kundër interest publik?

Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, Zoti Lubonja i drejtohet lidhjes mes politikanëve të korruptuar dhe biznesmenëve korruptues dhe historisë së pasurimit të këtyre të fundit.

Zoti Lubonja shprehet se krimi është mënyra se si shumë biznesmenë në vend janë pasuruar e më pas kanë tentuar të kapen pas politikës. “Në thelbin e vet, një ekonomi e bazuar mbi krimin si një ekonomi njerëzish të paaftë, s’mund të jetë veçse një ekonomi e dështuar. Kjo do të prodhojë politikë të dështuar kur politikanë qëndrojnë në pushtet me paratë e biznesmenëve të dështuar ose janë vetë ata,” shkruan Lubonja.

Megjithë dyshimet për pavarësinë e sistemit gjyqësor, Fatos Lubonja propozon një proces vetingu (si ai i reformës në drejtësi) për “të ashtuquajturit të pasur shqiptarë” për kuptuar se nga vijnë këto para që po zaptojnë gjithnjë e më shumë politikën, mediet, drejtësinë.

“Ata që kanë ndërtuar biznese kundër interest publik duhen futur të parët në shoshë, për të bërë të qartë se si e kanë bërë pasurinë, sa kanë qenë të rregullt në pagimin e taksave. Personalisht dyshoj shumë se një drejtësi, edhe sikur të jetë vërtetë e pavarur, mund të përballojë pushtetin e kësaj ekonomia që ka me vete dhe pushtetin politik, edhe atë mediatik,” shkruan Zoti Lubonja.

Në fund ai propozon se çdo lëvizje e re në politikën shqiptare duhet të ushtrojë më shumë presion për pastrimin e ekonomisë për të çliruar politikën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>