Partia Demokratike ankimoi sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i vetingut.
Ligji është një nga shtatë ligjit që plotësojnë paketën e reformës në drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligj u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.
PD pretendon se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit te kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim.
Një nga institucionet, rolin e të cilit PD kundërshton është Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klualifikuar (DSIK).
Më poshtë paraqiten shkurtimisht roli që kjo drejtori do të luajë në vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe arsyet pse PD e kundërshton këtë rol.
Roli i DSIK
Kontrolli i figurës është njëri prej tre aspekteve të rivlerësimit që parashikon reforma; vlerësimi i pasurisë dhe vlerësimi i aftësive profesionale janë dy aspektet e tjera.
Procesin e kontrolli të figurës e kemi shpjeguar në detaje këtu.
Ligji i vetingut përcakton se “Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Apelimit (KA), do të bëjë kontrollin e figurës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm”.
Për këtë qëllim, DSIK do të ngrejë një grup pune me përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror ( SHISH) dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Grupi i punës drejtuar nga DSIK do të bëjë:
- Verifikimin e saktë të identitetit, gjeneraliteteve dhe statusit të shtetësisë, në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo anëtar të të Gjykatës së Lartë, Gjykatës kushtetuese dhe për Prokurorin e Përgjithshëm;
- Kontrollin e rekordeve në nivel lokal e kombëtar, në funksion të aktivitetit dhe tendencave kriminale;
- Vlerësimin e përgjithshëm nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale;
- Kontrollin nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale;
- Verifikimi nëse rezulton i dënuar për një ose më shumë vepra penale, ka sjellje të keqe, tendenca kriminale e përfshirje në krimin e organizuar;
Pas procesit të verifikimit dhe kontrollit, DSIK duhet t’i paraqesë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) një raport mbi kontrollin e secilit individ. DSIK ka të drejtë të mos e bëjë publik informacionin nëse e shikon të arsyeshme se publikimi i tij rrezikon burimin e informacionit.
Përveç raportit, DSIK i paraqet KPK-së dhe një konstatim në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës.
Kundërshtimet e PD-së
Partia Demokratike kërkon që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kryehet vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit, siç parashikohet në nenin 179/b, pika 5, të Kushtetutës.
Ky nen parashikon se :”rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.”
PD kundërshton rolin e DSIK në këtë proces duke qenë se ajo është nën varësinë Kryeministrit – Drejtori i DSIK emërohet direkt nga Kryeministri.
Të njëjtën ankesë, PD ka dhe për rolin në këtë proces të Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, institucion nën varësinë e Ministrit së Punëve të Brendshme.
Përfshirja në procesin e vetingut të institucionet shtetërore nën varësin e qeverisë rrezikon paanshmërinë e procesit.
Artikuj të lidhur:
Të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, shpjeguar — Exit Shpjegon
Verifikimi (vetingu) i gjykatësve dhe prokurorëve: varianti përfundimtar — Exit shpjegon