Monologu i Kryeministrit: Bashkëpunimi me Serbinë, e vetmja rrugë drejt BE-së

Monologu i Kryeministrit: Bashkëpunimi me Serbinë, e vetmja rrugë drejt BE-së

Dje, në monologun e tij të përjavshëm në Facebook, Kryeministri Rama foli për vizitën e tij në Serbi. Sipas tij, qëllimi i kësaj vizite ishte “për të çuar përpara një marrëdhënie strategjike për paqen, integrimin dhe zhvillimin tonë ekonomik e social përmes shfrytëzimit të dimensionit rajonal.”

Disa nga pohimet e tjera kryesore të Kryeministrit Rama ishin:

  • Shqiptarët dhe serbët e këtij shekulli të ri mund të bëjnë përmes njëri tjetrit për veten e tyre dhe për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë shekullin e shkuar për vetveten dhe Evropën.
  • Jemi angazhuar në një politikë të re ndaj Serbisë: një politikë dialogu, ku ajo ç’ka na ndan prerazi, qëndrimi diametralisht i kundër ndaj pavarësisë së Kosovës, nuk na pengon të komunikojmë për atë që na bashkon, rruga e përbashkët për në Bashkimin Evropian dhe interesat reciproke për fuqizimin e ekonomisë.
  • Sa më shumë Shqipëria i flet Serbisë troç në sy për Kosovën dhe i tregon popullit të saj vullnet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rrugën e realizimit të interesave të njerëzve të zakonshëm, aq më shumë mitet dhe ideologjitë e së shkuarës në atë vend vihen në vështirësi për t’i ushqyer qytetarët e atij vendi me armiqësi ndaj shqiptarëve.
  • Shqiptarët dhe serbët e sotëm përballen me vështirësi të mëdha, me prapambetje në institucionet e administratën shtetërore, përballemi me një nevojë të jashtëzakonshme dhe një pengesë të pazakonshme për një rritje të konsiderueshme të volumit të investimeve të huaja.
  • Veç e veç shqiptarët dhe serbët kanë tregje të vogla; tregu ynë i vogël i shqiptarëve është po ashtu ende i ndarë më dysh mes Shqipërisë dhe Kosovës.
  • Zgjedhja prej nesh është shumë e qartë: ose të rrimë të ndarë me serbët, ose të kthehemi me fytyrë nga njëri tjetri dhe duke u nisur nga interesi ynë shumë i fortë për të rritur ekonominë tonë, për të fuqizuar shoqërinë tonë përmes mirëqenies dhe t’i përballim vështirësitë e zhvillimit ekonomik e social së bashku.
  • Rruga e re, ajo me fytyrë përballë njëri tjetrit, ju rrezikon punën dhe karrierën atyre që “patriotizmin” e kanë profesion dhe konfliktin për flamur e atdhe e kanë mënyrë jetese, por është e vetmja rrugë që siguron një të ardhme evropiane në paqe dhe prosperitet për popullin shqiptar.
  • Ne shqiptarët dukemi nganjëherë sikur e kemi harruar që e kemi fituar luftën me Serbinë dhe sillemi, në rastin më të mirë sikur lufta të mos kishte nisur ende dhe në rastin më të keq sikur të ishim ne të humburit e luftës e jo Serbia.
  • Është për të ardhur keq që kemi ndër ne sot njerëz që nuk e kuptojnë që dialogu me Serbinë është dhe e vetmja rrugë për të mbrojtur interesat ekonomike që pa dialog e pa frymë kompromisi nuk mund të përkthehen në zhvillim e mirëqenie për njerëzit tanë.
  • Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia nuk mund të sakrifikohen sot në një luftë imagjinare ballkanike që zhvillohet përmes retorikës kundër armiqve të djeshëm brenda mureve të shtëpisë tonë dhe përdoret si armë kundër njëri tjetrit në një arenë politike të brendshme të shqiptarëve.
  • Ne kemi humbur aq shumë shekuj sa tani nuk mund të humbim asnjë ditë duke luajtur luftash dhe duke bërë në vend numëro.
  • Ne shqiptarët nuk e ndërtojmë dot të ardhmen pa kapërcyer dhe fshirë kufijtë e të shkuarës mes nesh dhe Evropës, mes Shqipërisë dhe Kosovës, mes shqiptarëve dhe serbëve. Në të njëjtën kohë në të treja drejtimet, e ardhmja është në duart tona. Le të mos ja lidhim këmbët vetes me litarin e të shkuarës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>