Kryeministri Rama përshkruan: Tre vite reforma për të bërë shtet

Kryeministri Rama përshkruan: Tre vite reforma për të bërë shtet

Dje, në monologun e tij të përjavshëm në Facebook, Kreyministri Rama foli për arritjet e tij në tre vite qeverisje  dhe hodhi akuza ndaj opozitës për përbaltje të reformave.

Më poshtë janë disa nga pretendimet e Kryeministrit Rama:

  • Prej 3 vjetësh jemi angazhuar në një proces reformash të thella për të bërë shtet.
  • Besimi se Shqipëria mund të bëhet më ka sjellë mua në këtë zyrë.
  • Kemi reformuar nivelin e dytë të qeverisë së vendit duke krijuar 61 njësi vendore që mund të bëjnë zhvillim, ekonomi, sukses pas 25 vjetësh të humbura në çorganizimin e organizuar të afro 400 bashkive e komunave që sollën vetëm probleme.
  • Kemi hapur kantierin e reformave në çdo sektor: nga rendi e siguria tek drejtësia dhe administrata publike, nga ekonomia tek energjia, nga taksat tek pensionet e ndihma ekonomike, nga tekstet e shkollës tek arsimi i lartë e profesional, nga shëndetësia tek bujqësia, nga shërbimet për qytetarin tek diplomacia në shërbim të interesave të Shqipërisë dhe të nevojave të shqiptarëve jashtë atdheut.
  • Sot qeveria është bërë gati të spostojnë nga buxheti i shtetit në buxhetin familjar të punonjësve dhe pensionistëve plot 100 milionë dollarë.
  • Me rritjen e re të rrogave, duke filluar nga një marsi 2017, ne nuk do të jemi më vendi i fundit në rajon as për rrogën më të ulët, as për rrogën mesataren e as për atë maksimale në administratën shtetërore.
  • Ata që marrin rrogën më të ulët dhe mesatare në shtet kanë taksën më të ulët mbi pagën në gjithë rajonin, por kanë dhe rrogën më të ulët. Nga një marsi 2017 do vazhdojnë të kenë taksën më të ulët, por rroga minimale për punonjësit e shtetit tek ne do të jetë më e lartë se sa në Kosovë, në Malin e Zi, në Serbi dhe fare pak më e ulët se në Maqedoni, sepse ne do ta rrisim me rreth 35 për qind.
  • Rroga mesatare do të bëhet më e lartë se sa në Kosovë dhe në Serbi dhe do të jetë më afër mesatares në Maqedoni.
  • Qeveria e mëparshme ndau nga buxheti i shtetit për rroga e pensione 124 milionë dollarë në tetë vjet. Ndërsa ne jo vetëm ndajmë 100 milionë dollarë në një vit, por duke llogaritur dhe 100,4 milionë dollarë që janë ndarë në këta tre vjet nga ulja e taksës mbi rrogën, plus 40 milionë dollarë nga i njëjti mekanizëm i uljes së taksës vitin e ardhshëm, arrijmë që falë kësaj faze të parë reformash të spostojmë në buxhetet familjare 240,4 milionë dollarë brenda një mandati të vetëm.
  • Ulja e taksës mbi rrogën ka bërë që ne të ndajmë nga buxheti i shtetit dhe 300 milionë dollarë për punëtorët e sektorit privat. Pra, kontributin total në një mandat për të rritur të ardhurave të të gjithë punonjësve, në shtet apo privat, dhe pensionistëve arrin 540 milionë dollarë.
  • E di që shumëkujt në një mjedis kaq të ndotur nga balta e përditshme e akuzave, shpifjeve, gënjeshtrave, ku çdo ditë injektohen sasira marramendëse të helmit të dëshpërimit tek kushdo që ja vë veshin kazanit të politikës së mbrapshtë dhe mediave që i venë pas avazit të atij kazani, këto shifra mund t’i duken në rastin më të mirë, si një çudi e vështirë për tu besuar dhe në rastin më të keq, si një fantazi e papëlqyeshme , por nuk janë aspak çudi. Janë vetëm rezultat e një qeverisje të përgjegjshme tre vjeçare.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>