Meta e shpjegon “kinezërisht” të ardhmen e koalicionit qeveritar — Pikat kryesore të intervistës

Meta e shpjegon “kinezërisht” të ardhmen e koalicionit qeveritar — Pikat kryesore të intervistës

Kryetari i LSI-së Ilir Meta, i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, dje në mbrëmje, foli për të ardhmen e koalicionit qeveritar, luftën ndaj kanabisit, ligjin e plehrave dhe ekonominë në vend.

Më poshtë disa nga pohimet kryesore të Zotit Meta:

Për rolin e LSI-së në të ardhmen:

  • LSI-ja ka një rol të qartë në të ardhmen. Ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme e qeverisë, ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri.
  • LSI-ja në çdo rast do të jetë një forcë që do të ketë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen në jetën politike të vendit.

Për të ardhmen e koalicionit LSI – PS:

  • Ajo [vajza e Deng Xiaopingut] më tha diçka mjaft të rëndësishme: “Babai im mendonte, se e ardhmja e një vendi duhet të varet sa më pak nga një njeri ose nga pak njerëz”. Pra, e ardhmja e një vendi duhet të varet nga një sistem i konsoliduar, që prodhon garanci afatgjate për shoqërinë. Kështu që kjo besoj se kjo është një përgjigje për cilindo, që mendon se e ardhmja e një koalicioni apo e ardhmja e një vendi duhet të varet nga raportet personale të dy kryetarëve apo të tre kryetarëve e kështu me radhë.
  • Në këtë drejtim ajo që mund të them, është se është e rëndësishme që raportet LSI-PS në të ardhmen, si dy forcat kryesore të koalicionit aktual, të jenë edhe institucionale.

Për kanabisin:

  • Mbjellja e tij është një investim, të cilin e bëjnë jo vetëm grupet kriminale, të cilat përpiqen ta menaxhojnë këtë fenomen, por edhe njerëzit, të themi viktimat e këtij trafiku.
  • [K]y është një fenomen, i cili duhet luftuar, nuk duhet krijuar kurrsesi iluzioni që kjo është një rrugë me interesa apo leverdi për familjet shqiptare.
  • Legalizimi i kanabisit duhet të jetë në interes të shtetit dhe të qytetarëve dhe kurrsesi të grupeve kriminale.
  • [Kanabisi] është një shqetësim për vendet kryesore partnere, por edhe që ndajnë kufirin me ne, si Italia apo Greqia, po natyrisht që është bërë shqetësim përtej këtyre vendeve.
  • [O]pozita vetë ka përgjegjësinë e saj për ekzistencën e këtij fenomeni, edhe përpara vitit 2013.

Për ligjin e plehrave:

  • Ne të kemi në konsideratë që vendimmarrja do të jetë në interes të publikut të gjerë dhe në interes afatgjatë për vendin.
  • Më e rëndësishmja është që çdo miratim i mundshëm të mos realizohet në konflikt  me opinionin publik apo me një pjesë të tij.
  • Ekziston një shqetësim që vjen për shkak të mungesës së kapaciteteve tona në afat për të trajtuar mbetjet e vendit.
  • Moszbatimi i drejtë i ligjit mund të sjellë  një  përkeqësim akoma më serioz të parametrave të mjedisit në vend.

Për ekonominë:

  • Mendoj se duhet të kemi konsideratë se pa tërhequr investime të huaja dhe pa qenë edhe më konkurruese sesa deri tani, …do ta kemi të vështirë të krijojmë më shumë vende pune, më cilësore dhe më të mirëpaguara.

Për marrëdhëniet Shqipëri- Serbi:

  • [R]aportet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë më se normale, ashtu sikurse është e rëndësishme të kemi një koordinim të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos përsa i takon çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me dialogun Kosovë- Serbi.

Për çështjen çame:

  • Bindja ime e plotë është që kjo zgjidhje do të vijë vetëm përmes dialogut dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>