Si funksionon organizata e Fetullah Gylen në Shqipëri – Exit shpjegon

Si funksionon organizata e Fetullah Gylen në Shqipëri – Exit shpjegon

Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan ka nisur një fushatë për mbylljen e të gjitha shkollave dhe hetimin e bizneseve të cilat mendohen se financohen nga predikuesi Fetullah Gylen. Në këtë fushatë janë përfshirë edhe vende si Bosnja Hercegovina, Azerbajxhani, Uzbekistani, Kroacia, Maqedonia, Rumania, Indonezia, Tailanda, Nigeria.

Në Turqi, qeveria ka nisur një fushatë spastrimi ndaj atyre që i konsideron përkrahës të predikuesit Gylen. Të gjithë drejtuesit e universiteteve në vend janë shkarkuar me anë të një dekreti qeveritar. Tashmë e drejta për të emëruar rektorët dhe dekanët e universiteteve i takon Presidentit Erdogan.

Presidenti turk i ka kërkuar edhe qeverisë shqiptare të luftojë strukturat e predikuesit Gylen të cilat veprojnë në vendin tonë.

“Unë e di që kjo strukturë vepron edhe në Shqipëri. Me vëllezërit e mi Edi Rama dhe Bujar Nishani e diskutova këtë çështje dhe jam i sigurt se ato do të bëjnë gjënë e duhur” – tha Erdogan, në fjalën e tij për ndërtim e namazgjasë.

Mendohet se nën këtë trysni, Ministria e Arsimit ka urdhëruar të gjitha kopshtet, shkollat, universitetet private në vend të heqin çdo emërtim dhe simbol të Turqisë.

Sipas televizionit Abcnews, qeveria turke i ka dërguar qeverisë shqiptare edhe një listë me biznese dhe shkolla private për të verifikuar nëse burimi i tyre i financimit është organizata Gylen.

Çfarë është organizata e Fetullah Gylen?

Organizata e Fetullah Gylen ka përfaqësi në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë. Ajo është e shtrirë në institucionet publike, si dhe në kompani të shumta private në sektorin e arsimit, turizmit e medias. Themeluesi i saj Gylen është shpallur përgjegjëse për tentativën për grusht shteti të 15 korrikut në Turqi. Ai ka qenë personi më i afërt i presidentit turk Erdogan gjatë kohës së opozitës.

Qëllimi kryesor i organizatës është krijimi i një “brezi i artë”, i cili më pas i shpërndarë në fusha të ndryshme të jetës të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme. Realizimi i këtij qëllimi kryhet nëpërmjet hapjes së instituteve arsimore private.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e lajmeve turke Anadolu, në vendet e Ballkanit, ajo vepron në rreth 40 shkolla, si: 15 shkolla në Bosnjë Hercegovinë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, 5 në Kosovë dhe një në Serbi.

Baza e fondeve të të gjithë veprimtarisë së fondacionit si për medresetë, kolegjet, organizatat e shumë të tjera vjen nga fonde të dhuruara nga biznesmenë të pasur edhe qytetarë të shtresës së mesme myslimanë të devotshëm. Ato zgjedhin që zekatin (detyrimi vjetor sipas islamit për t’u ndarë për bamirësi) ta dhurojnë për shkollat, pasi një ndër predikimet e Gylen përfshin edhe faktin se ai barazon dhënien e zekatit për bamirësi të pamundurve, të paushqyerve, të varfërve me dhënien për bamirësi për shkollim.

Organizata e Fetullah Gylen në Shqipëri

Fillimet e investimeve të Gulen, nisën në Shqipëri në vitin 1992 me hapjen e kolegjit për djem “Mehmet Akif”, sipas një marrëveshje të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Fondacionit Gulistan nën bekimin e presidentit të atëhershëm të Republikes turke Turgut Ozal, i pranishëm në inagurim.

Në vitin 1994, organizata e Gylenit hapi fondacionin Sema. Ky fondacion privatizoi të gjithë objektet arsimore islame në qytetet si Tiranë, Kavajë, Korçë, Elbasan e Berat. Praktikisht, organizata ka marrë nën kontroll shkollat tradicionale islame në vendin tonë, të njohura si medrese.

Më pas, fondacioni hapi në vendin tonë institucione arsimore si kopshtin “Meridian” , shkollën 9 vjeçare dhe shkollën e mesme “Turgut Ozal” me degë në Tiranë dhe në Durrës, shkollën 9-vjeçare në gjuhë të huaj “Memorial International School of Tirana”, shkollën fillore “Hasan Riza Pasa” në Shkodër, dhe dy universitetet “Epoka” dhe “Beder”.

Gjithashtu u hap edhe organizata kulturore “Horizonte të Reja” dhe shtëpia botuese “Prizëm”.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>