
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama prezantuan, sot, uniformat e reja të policisë së shtetit.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Brendshme, morën pjesë krerët e lartë të policisë së shtetit, si dhe një numër i madh policësh që mbanin veshur uniformat e reja.
Ministri Tahiri deklaroi se çështja e uniformave nuk është thjeshtë çështje veshjeje, por mbi të gjitha çështje dinjiteti.
“Në policinë e shtetit sa më shumë punë kërkohej, aq më shumë braktiseshin ata që duhet ta bënin punën. Përveç mungesës së buxhetit, infrastrukturës, mjeteve teknologjike, kushteve të punës e shumë të tjera si këto, punonjësit e policisë nuk mund të ndiheshin rehat as më rrobat e veta,” u shpreh Zoti Tahiri.

Kryeministri Rama, po ashtu, i cilësoi uniformat e reja si “aleatin kryesor të policisë në punën e përditshme”. Ai falenderoi presidentin turk për bashkëpunimin në këtë proces.
“Që në fillim dua të falenderoj qeverinë e Turqisë dhe në veçanti presidentin Erdogan për mbështetjen që na kanë dhënë në këtë projekt,” deklaroi Zoti Rama.
Zoti Rama u rikujtoi punonjësve të policisë rritjen e pagave që qeveria ka ndërmarrë për vitin tjetër.

Vetëm 3 javë më parë, Ministri Tahiri dhe kKryeministri Rama organizuan një tjetër ceremoni për t’i dhënë Policisë së Shtetit lajmin e rritjes së rrogave.
Po ashtu, ceremonia për prezantimin e uniformave të reja nuk mbahet për herë të parë. Më 1 shkurt 2016, ministri Tahiri prezantoi në një ceremoni pompoze, uniformat shumëngjyrëshe të policisë.
