Më pak se 24 orë pasi Exit.al publikoi një shkrim mbi ecurinë e punimeve në stadiumin e ri kombëtar, kompania e ndërtimit Albstar shpk vendosi tabelën shpjeguese të kantierit, ashtu siç e kërkon ligji.
Sipas tabelës, leja e ndërtimit të stadiumit është miratuar me vendim Nr. 25949/10 të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) më 20 shtator 2016. Duke qenë se vendimet e fundit të publikuara në faqen në rrjet të KKT-së janë të muajit korrik, është i pamundur verifikimi i përmbajtjes së lejes së ndërtimit.
Punimet e ndërtimit, sipas tabelës, kanë filluar me 3 tetor 2016 dhe do të përfundojnë më 3 prill 2020. Por e vërteta është se prishja e stadiumit Qemal Stafa nisi më 11 qershor dhe përfundoi plotësisht në fund të qershorit 2016, ndërsa punimet filluan në muajin korrik pa pritur miratimin e lejes së ndërtimit në shtator, pra në mënyrë të paligjshme.
Zhvilluesi i ndërtimeve është Qendra Sportive Kuq e Zi sha (QKSZ), një kompani e përbashkët mes Ministrisë së Kulturës me 25 për qind të aksioneve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit me 75 për qind të aksioneve e cila u bë pronare e stadiumit me vendime të dyshmita qeveritare, sikurse kemi shpjeguar këtu dhe këtu.
Në shkurt 2016, administratori i QSKZ-së Zoti Eduard Prodani deklaroi se “është kusht [për kompaninë e ndërtimit] që ndërtimi i stadiumit të kryhet brenda një periudhe 24-mujore, pra ai që do të fitojë tenderin dhe të firmosë kontratën do ta ketë si kusht qe brenda 24 muajsh nga momenti i fillimit do ta përfundojë.”
Nga tabela e vendosur sot, mësohet se punimet do të zgjasin plot 42 muaj deri në vitin 2020.
Kompania financuese dhe ndërtuese e stadiumit, AlbStar shpk, u zgjodh me një procedurë të dyshimtë në mos të paligjshme siç kemi shpjeguar më parë këtu dhe këtu. Në vitet 2014-2015 kompania Albstar ka marrë rreth 11,5 milionë euro (rreth 1,5 miliardë lekë) nga qeveria për disa projekte ndërtimi.
Mbikëqyrja e punimeve të ndërtimit do të bëhet nga Sfera Studio—studio arkitekturore e Zotit Artan Shkreli, njëkohësisht dhe Këshilltar për Territorin i Kryeministrit Edi Rama dhe ish-anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë Tiranë, kur kjo e fundit drejtohej nga Zoti Rama. Duke pasur parasysh faktin se Qendra Sportive Kuq e Zi është një partneritet publik-privat, përfshirja e studios private të Zotit Shkreli është një konflikt i qartë interesash.
Studioja e arkitekturës e cila ka projektuar stadiumin e ri është Atelier 4. Arkitekti Marco Casamonti dhe studio Archea Associati që u propaganduan në publik si projektuesit e stadiumit në fakt do të jenë vetëm këshilltar arikitekturor, çfarëdoqoftë ky term. Nuk dihet nëse ky ndryshim rolesh është bërë për shkak se Marco Casamonti është akuzuar se ka qenë idënuar në Itali për korrupsion, apo ai është përdorur thjesht për reklamë.
Projektuesja Atelier 4 është studio e preferuar e Kryeministrit Rama. Ajo ka qenë e përfshirë në projektet e tij të politikës urbane që në mandatin e parë të Ramës si kryebashkiak i Tiranës.
Ajo është projektuese e pjesës më të madhe e projekteve të mëdha infrastrukturore të kryera në Tiranë, duke përfshirë rikualifikimin urban të sheshit Skënderbej dhe Pazarin e Ri, rindërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe këndin e lojërave për fëmijë në Parkun e Liqenit. Atelier 4 është “partneri lokal” i firmave ndërkombëtare të arkitekturës si Bolles + Wilson dhe 51N4E.
Pra, stadiumi i ri kombëtar do të jetë fryt i bashkëpunimit të kompanive më të afërta të Kryeministrit Rama, fakt ky i çuditshëm po të kemi parasysh se stadiumi i ri zyrtarisht nuk është projekt i qeverisë; ajo nuk ka ndjekur asnjë procedurë ligjore që një projekt qeveritar i këtyre përmasave normalisht do të duhet të ndiqte.
Vetëm nëse partneriteti në Qendrën Sportive Kuq e Zi është thjeshtë një mënyrë për t’i dhënë miqve të Kryeministrit Rama dhurata pa ndonjë mbikqyrje ligjore.