Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli dje, në Top Story, për herë të parë për reformimin e Partisë Demokratike dhe gabimet e të shkuarës.
Në një vend ku asnjë politikan nuk pranon gabimet, por fajëson paraardhësit, ku asnjë kryetar partie nuk ka pranuar humbjen e zgjedhjeve dhe nuk ka dhënë dorëheqjen, pranimi publikisht i gabimeve të së shkuarës tregon reflektim.
“Unë i njoh gabimet e mia dhe kam reflektuar. Gjatë fundit të qeverisjes sonë u rrit hendeku me njerëzit, një pjesë e oligarkëve kanë përfituar në mënyrë të pandershme gjatë mandatit tonë.”
Duke folur për vizionin e opozitës për të ardhmen e vendit, kreu i PD-së theksoi rëndësinë e çlirimit të ekonomisë nga monopolet, oligarkët dhe krimi.
“Ne kemi alternativë zhvillimi për Shqipërinë duke çliruar ekonominë sepse sot mbahet peng nga një grusht qeveritarësh dhe oligarkësh. Sot e gjithë Shqipëria punon për një pakicë që po pasurohet në mënyrë marramendëse. Shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë po ikin sepse po shpërblehet krimineli dhe i korruptuari.”
Si pikënisje për ndryshimin e sistemit politik, Zoti Basha tha se do të fillonte nga reformimi i brendshëm i PD-së, duke ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vendimmarrjes së përbashkët.
Sot në Shqipëri partitë janë problemi kryesor, janë peng i kryetarëve. Partitë dhe mënyra sesi është ndërtuar politika është kthyer në problemin e shqiptarëve. Unë do të filloj duke ndryshuar Partinë Demokratike.
PD do të jetë partia e parë që do të aplikojë parimin “një anëtar, një votë” edhe për kandidatët për deputetë. Do të propozoj që zgjedhjet për kryetarin e PD-së të bëhen çdo dy vjet, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të krijojnë alternativa dhe ta konkurojnë.
Do të hapim partinë për më të talentuarit në mënyrë që të vijnë e të kandidojnë për deputet, por edhe të më zëvendësojnë mua si kryetar. Do e bëjmë këtë duke strukturuar rregullat e konkurrencës brenda partisë.
Në një kontekst politik ku liderët e partive vazhdojnë të qeverisin partitë e tyre për shumë vite pa zhvilluar zgjedhje, pa respektuar statutet e brendshme, apo me zgjedhje fiktive, nëse këto reforma që propozon Zoti Basha zbatohen, do të jenë shkundja e parë e strukturave aktuale të partive politike.
“Duke ndryshuar PD-në sot, do të mund të ndryshojmë Shqipërinë nesër,” mbylli deklaratën e tij Zoti Basha.