Përurimi komunist i bunkerit Rama

Përurimi komunist i bunkerit Rama

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe pronari i Shqiptarja.com Carlo Bollino inaguruan, të shtunën, muzeun Bunk’Art 2, në sheshin prapa Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Bunk’Art 2 është bunker-muzeu i dytë i hapur nga qeveria Rama dhe ka si qëllim përkujtimin e viktimave të komunizmit.

Hyrja për në Bunk'Art2 - Djathtas dallohen dëmtimet nga protestat - Foto © Facebook
Hyrja për në Bunk’Art2 – Djathtas dallohen dëmtimet nga protestat – Foto © Facebook

Një projekt i kundërshtuar

Muzeu u përurua mes protestave të të persekutuarve nga regjimi komunist. Një dron me një pankartë në të cilën shkruhej “Edvin Kristaq Rama kërko ndjesë për vdekjen e Havzi Nelës” fluturoi mbi kokën e kryeministrit.

Havzi Nela, poeti disident i regjimit komunist, u dënua me vdekje pasi la fshatin ku ishte internuar për të vizituar nënën e tij që ishte duke vdekur. Dënimi me vdekje u firmos më 20 shkurt 1988. Kristaq Rama, babai i Edi Ramës dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i mohoi poetit Havzi Nela faljen e jetës. Ai u ekzekutua më 10 gusht 1988.

Në dhjetor 2015, opozita dhe organizatat e të persekutuarve protestuan kundër ndërtimit të bunkerit-muze.

Bunkeri u dëmtua nga zjarri dhe u ça në disa vende. Në vend të riparimit, çarjet u lanë si dritare, ironikisht duke përkujtuar protestat kundër tij – e duke vënë në pah ndërtimin e dobët të objektit.

Censura mediatike

Ndërsa Bunk’Art 2 supozohet të përkujtojë viktimat e regjimit komunist, është ironike si mediat nuk u lejuan të merrnin pjesë në këtë inagurim. Ivana Dervishi, fotografja dhe gazetarja e BIRN, i tha Exit.al se rojet në hyrje të muzeut nuk i lejuan mediat të futen duke u shprehur “Po e drejtojmë ne këtë!”.

Bunk’Art 2, ashtu si Bunk’Art 1 në ish-bunkerin atomik të ish-Komitetit Qendror, administrohet nga Carlo Bollino, një gazetar italian dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës, i cili ka në pronësi disa media në Shqipëri.

Kohët e fundit, Bollino shkaktoi mbylljen e një portali të medias shqiptare për shkak të një artikulli satirik ndaj tij.

Ndërkohë, vetë Rama në disa raste ka sulmuar edhe ato pak media të mbetura të pavarura në Shqipëri.

Prania e Bollinos dhe përjashtimi i mediave të tjera të pavarura nga ky aktivitet është skandaloz. Media e tij, sigurisht, është e vetmja që mori pamje dhe filmime gjatë hapjes së bunkerit-muze.

Të kontrollosh median e pavaruar, ndërkohë që përkrah një media të debatuar e të financuar nga paratë publike është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që çdo muze që përkujton një diktaturë përfaqëson. Kjo gjë është shenjë e hipokrizisë të thellë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>