Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi deklaroi sot se dhunimi i biznesmenit libanezo-amerikan Faddi Mitri në shtator të këtij viti, nuk e përkeqëson klimën e biznesit në vend
E ftuar në emisionin Vila 24, në News24, ministrja Ekonomi deklaroi se dhunimi dhe largimi i biznesmenit Mitri është një rast i izoluar që nuk e rrezikon imazhin e Shqipërisë në botë.
“Ngjarja që ndodhi në Shqipëri ka qenë e izoluar, ne kemi prezencë të shoqatave të ndryshme në Shqipëri. Shumë shoqata biznesi u distancuan, pasi ishte diçka individuale.”
Pretendimi i ministres Ekonomi nuk është i vërtetë.
Banka Botërore, një ndër institucionet financiare më të rëndësishme në botë, e ka dënuar ashpër dhunë ndaj biznesmenit dhe i rekomandoi institucioneve të marrin masa për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Më 29 shtator Tahseen Sayed, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, deklaroi:
“Incidenti me biznesmenin libanez është një ngjarje fatkeqe. Shqipëria duhet të marrë masa për të përmirësuar klimën e biznesit. Përmirësimi i klimës së investimeve dhe të biznesit është thelbësor për të zhvilluar konkurrencën.”
Banka Botërore harton disa nga raportet më të rëndësishme për ekonominë dhe biznesin, ndër të tjera raportin e përvitshëm Doing Business, ku Shqipëria këtë vit, renditej mes tre vendeve të fundit të rajonit.