
Studentë e aktivistë të Lëvizjes për Universitetin protestuan sot kundër ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres pas dështimit të reformës së arsimit të lartë.
Me pankarta në duar ku shkruhej “Nikolla dorëhiqu”, “Jeni ministre katastrofë”, “Me salcë e vezë studenti do ju presë” e me thirrje për dorëheqjen e Lindita Nikollës, studentët nuk u lejuan të protestonin përpara ministrisë.
Protestuesit u ndaluan nga policia me argumentin se nuk janë pajisur me leje nga policia për të protestuar përpara ministrisë.
Ky fakt u kundërshtua nga protestuesit, të cilët thanë se janë pajisur me leje nga Policia e Tiranës.

Gjithsesi, ky incident nuk e ndaloi protestën. “Armiqtë tanë nuk janë policët, por ata në godinat e qeverisë që japin urdhërat,” deklaroi një prej protestuesve.
Lëvizja për Universitetin e ka kundërshtuar ligjit e arsimit të lartë që përpara se ai të miratohej. Një aktiviste e Lëvizjes, Mirela Ruko hodhi salcë mbi ministren Nikolla pak ditë më parë, në shenjë proteste.
