25 vjet “dhunë politike” mbi Drejtësinë: të gjithë “kokat e prera” të Prokurorëve të Përgjithshëm

Prokuroret ne vite

Akuza Shqiptare është një prej segmenteve të Drejtësisë, asaj që është katandisur në atë pikë për 25 vjet sa të vjen ndot t`ja përmendësh dhe emrin, aq më pak kur quhet Drejtësi. Sot, palët po garojnë kush e kush të shprehë me të madhe se e do të reformuar Drejtësinë, një gjë që në fakt ka ndodhur dhe më parë. Por fakt është se ajo kurrë nuk u reformua, aq sa për të qenë e drejtë. Ajo thjesht është sulmuar nga politika sa herë nuk i shkuar për shtat asaj dhe, më së shumti kjo ka ndodhur me Prokurorët e Përgjithshëm, ata që ta “këndojnë nenin” duke të ngritur akuzën.

Historia e emërimit dhe shkarkimit të Prokurorëve të Përgjithshëm e jep të qartë implikimin e politikës tek Drejtësia në këto 25 vite. Dhe ja ku jemi tek Llalla. Sipas propozimeve aktuale për Reformën në Drejtësi, statusi i Prokurorit të Përgjithshëm pëson ndryshime të rëndësishme të cilat mund të shkaktojnë edhe largimin e kreut aktual të organit të akuzës.

Sipas draftit të paraqitur nga mazhoranca, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti dhe jo më nga Presidenti, dhe ka një mandat prej nëntë vitesh.

Megjithatë jemi ende në fazën e drafteve, por diskutime të tilla nuk duket se janë aq komode për kryeprokurorin Llalla në këtë situatë kur institucioni që ai drejton, ka në proces çështje të rëndësishme për të hetuar, të cilat kanë lidhje me akuza ndaj krerëve të lartë të mazhorancës.

Kjo do të thotë se diskutime të kësaj natyre mund të kenë ndikime në procesin e hetimit nga prokuroria, aq më tepër kur bëhet fjalë për një procedurë sipas të cilës Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga parlamenti.

Një histori e shkurtër e zgjedhjes dhe shkarkimit të 6-të prokurorëve, i 7-ti në pritje

Petrit Serjani ishte Prokurori i parë i Përgjithshëm i zgjedhur në Shqipërinë postkomuniste, pas zgjedhjeve të para pluraliste më 31 mars 1991. Zgjedhja e tij ishte një procedurë pa shumë debate, pasi situata politike ishte e tillë, që vëmendja nuk u përqëndrua edhe aq shumë në këtë post, edhe pse ishte një ndër më të rëndësishmit. Kishin kaluar vetëm dy muaj prej zhvillimit të zgjedhjeve të para pluraliste dhe vendi ndodhej në kaos total. Emri i Serjanit u përzgjodh në parlament, pa shumë debate:,në konkurencë me kandidaturën tjetër, atë të Spiro Peçit.

Petrit Serjani mbajti postin e Prokurorit të Përgjithshëm nga data 14 maj 1991 deri në korrik 1992, vendin e të cilit më pas e zuri avokati i njohur Maksim Haxhia.

Maks Haxhia, prokurori që qëndroi vetëm katër muaj në detyrë

Maks Haxhia u zgjodh në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në korrik 1992 dhe u shkarkua në nëntor të këtij vitit. Haxhia u identifikua shpejt si i padëshiruar nga mazhoranca që e kishte zgjedhur, për shkak se u akuzua se po tregohej i butë ndaj ish-nomeklaturës dhe opozitës së kohës. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese atë kohë, Rustem Gjata, më 20 tetor 1992 i ktheu përgjigje zyrtare Haxhisë me anë të një vendimi të Kushtetueses: akti i largimit të prokurorit konsiderohej i ligjshëm. Ky precedent është përsëritur edhe me dy kryeprokurorët e tjerë pasardhës, Arben Rakipi dhe Thedhori Sollaku.

Me historinë më jetëshkurtër në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Maks Haxhia, është prokurori i parë i zgjedhur nga ish-presidenti Sali Berisha për të drejtuar organin e akuzës në Shqipërinë e vitit 1992.  Presidenti kishte të drejtën e propozimit për kandidaturën e Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe të disa drejtuesve të tjerë të institucioneve të rëndësishme. Në maj të vitit 1992, kandidatura e Maks Haxhisë erdhi në parlament për t’u votuar si Prokuror i Përgjithshëm dhe u votua me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare, përfshi këtu edhe grupin parlamentar të PS-së, i drejtuar nga Namik Dokle. Kurse i vetmi deputet që kundërshtoi kandidaturën e Maks Haxhisë, ishte deputeti demokrat Rudolf Marku.

Ai lexoi para deputetëve biografinë e zotit Haxhia, duke cituar se familjarë të afërm të Maks Haxhisë kishin mbajtur poste të rëndësishme gjatë regjimit komunist, të lidhura drejtpërdrejt me krimet e komunizimit. Ky argument i Markut u kundërshtua nga deputetët e të dy palëve dhe Maks Haxhia u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në seancën parlamentare të datës 6 maj 1992.

Shkarkimi

Në shtator 1992, një grup deputetësh të PD-së paraqitën një mocion kundër Prokurorit të Përgjithshëm, Maks Haxhia. Ai kritikohej për shumë mangësi në drejtimin e këtij institucioni ndër të cilat dhe më kryesorja ishte dënimi i munguar për ish-anëtarët e Byrosë Politike. Maks Haxhia u shkarkua nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm në seancën parlamentare të 17 shtatorit 1992.

Në vend të Maks Haxhisë, në nëntor 1992 u zgjodh në këtë detyrë nga mazhoranca demokrate, Prokuror i Përgjithshëm, Alush Dragoshi. Në kohën e tij u dënua me burg kryetari i atëhershëm i opozitës, Fatos Nano. Alush Dragoshi e drejtoi institucionin e rëndësishëm të Prokurorit të Përgjithshëm sipasmodelit Berisha pa shkaktuar asnjë pengesë në filozofinë e tij të ndëshkimit të kundërshtarëve përmes institucioneve të pavaruara. Pas trazirave të vitit 1997, në qershor të këtij viti PS-ja erdhi në pushtet. Në krye të prokurorisë së përgjithshme erdhi Arben Rakipi.

Lufta Nano-Meta dhe shkarkimi i Rakipit

Nëse do të duhet të veçojmë raste pikante të viktimizimit të institucioneve të drejtësisë nga politika në Shqipëri, rasti më i spikatur për ta ilustruar, është shkarkimi i Arben Rakipit nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm në pranverën e vitit 2002.

 

Pa marrë në analizë rolin e tij në krye të këtij institucioni, veçse duke iu referuar zhvillimeve politike brenda mazhorancës socialiste të asaj kohe, duket qartë se beteja politike brenda kësaj mazhorance krijoi imazhin e një prokurorie tërësisht në dorë të politikës. Ishe fjala pikërisht për imazhin e kreut të Prokurorisë, Arben Rakipi. Ai akuzohej se ishte bërë palë me njërin prej grupeve kundërshtare në PS, pikërisht atë të kryetarit të kësaj partie, Fatos Nano.

Ilir Meta, kundërshtari kryesor i Nanos në PS, sapo kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, mbështeti shkarkimin e Rakipit nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm,  propozim që vinte nga opozita demokrate e drejtuar nga Sali Berisha.

Kishin ndodhur një sërë ngjarjesh brenda PS-së, nga vitit 1999 deri në mars të vitit 2001, kur po diskutohej për shkarkimin e Rakipit. Pas një historie të gjatë debatesh mes grupit Nano dhe grupit Meta, në fund të janarit 2002, Ilir Meta paraqiti dorëheqjen nga posti i kryeministrit, duke deklaruar se ishte detyruar nga kryetari Nano për krijimin e qeverisë së re. Ai tha, se “largohej për të mos pranuar shantazhet, për të vendosur emra ministrash nën diktatin e kryetarit”.

Në vend të Metës u emërua kryeministër Pandeli Majko. Meta dhe mbështetësit e tij në opozitë nisën betëjn politike të vendosur të bashkëpunojnë edhe me Berishën për të rrëzuar mazhorancën e Nanos. Për këtë, opozita propozoi mocion për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pjesë nga fjala në parlament e secilit prej protagonistëve të këtij momenti, japin të qartë varësinë e plotë të kreut të Akuzës nga politika.

Seancë plenare, E hënë, datë 18.03.2002, ora 17.00

Sali Berisha:

“Ne propozojmë shkarkimin e Rakipit sepse ai në krye të institucionit të akuzës shtetërore nuk ka penalizuar në katër vjet asnjë zyrtar të ulët, të mesëm ose të lartë për shpërdorime të vjedhjeve të tenderave, taksa, tatime, dogana shuma të cilat arrijnë miliarda dollarë. Rakipi ka mbyllur të gjitha dosjet e mëdha të korrupsionit dhe kontrabandës të hapura, të hapura këto vite nga opozita, shtypi i pavaruar ose institucionet ndërkombëtare. 180 dosje të kontrabandës të sjella nga divizioni 21 i Brukselit, të cilat kapin vlerën në miliarda dollarë,  mbyllën, nën pretekstin se i duheshin faturat origjinale dhe jo fotokopjet. Ai mbylli dosjet e Kontrollit të Shtetit me një shumë shpërdorimi 520 milionë dollarësh, mbylli dosjen e vjedhjes së rreth 2/3 të ndihmave humanitare dhe shtrimit të tyre në vilat e qeveritarëve, mbylli shpërdorimin e vjedhjeve të 130 milionë dollarëve depozita të firmave piramidale dhe të qindra milionë dollarëve prona të këtyre firmave të blera nga qeveritarë me çmime qesharake.

Për ta mbyllur, Rakipi ka filluar gjahun e shtringave edhe për këtë ne kërkojmë shkarkimin e tij, jo se ne duam të mbrojmë Metën, sepse jemi shumë të kënaqur e të gëzuar me rrëzimin e tij, se nuk e meritonte të ishte as 4 ditë kryeministër,  nuk mbrojmë as Dritan Priftin, por në moralin tonë gjahu i shtrigave në cilëndo anë që të jetë është tërsisht i papranueshëm.

Me lejoni t’ju pyes të nderuar deputetë, pse mund të dënohet Dritan Prifti e të mos hetohet zoti Fatos Nano, i cili me vendime që janë këtu, ka urdhëruar të njëjtin veprim; edhe zoti Pandeli Majko që ka urdhëruar të  njëjtin veprim. Këta zotërinj janë motive për të cilat ne kërkojmë shkarkimin e Rakipit. Unë ju bëj thirrje të jeni gjakftohtë, të analizoni mirë sepse shteti ligjor, shoqërinë shqiptare. Ky është njeriu që ka paralizuar tërësisht akuzën në Shqipëri dhe e ka shndërruar në rakipëri.”

Fatos Nano:

“Të mbrojmë institucionet e shtetit të së drejtës, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të mos lejojmë që vendi ynë të kthehet në trafikantë politikë, ku rrëzimi dhe shkatërrimi i institucioneve të shtetit të së drejtës zëvendëson përmirësimin dhe konsolidimin e autoritetit të ligjit. Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për t’u mbrojtur e verifikuar para organeve dhe institucioneve të specializuara të shtetit të së drejtës, ndërsa Berisha me mentalitetin dhe përvojën e tij të vjetër po kërkon të shkatërrojë me demagogji një institucion kushtetues pa asnjë hetim dhe mbrojtje proceduriale, për të cilën na detyron edhe ne parlamentarëve Kushtetuta.

Nëse kundër Prokurorit të Përgjithshëm krijohet një mazhorancë ilegjitime, më lejoni të riktheksoj në mënyrë sovrane, me cilësinë e kryearit të votuar të partisë së shumicës parlamentare se unë do të vazhdoj të kryej të gjitha detyrimet e mia politike dhe kushtetuese, për të denoncuar dhe bllokuar  këtë mazhorancë mëkatarësh dhe për të realizuar sa më parë mundësinë e rikonfirmimit të një mazhorance legjitime të votuar më 24 qershor. Ata përfaqësues të grupit tonë parlamentar që vlerësojnë dhe veprojnë njëlloj si Berisha, mund të kenë arsye të ndryshme nga ai, por duhet të kenë parasysh se do të marrin përballë zgjedhësve tanë dhe historisë të gjithë përgjegjësinë për delegjitimimin e kësaj mazhorance progresiste dhe europiane që drejton Shqipërinë prej 5 vjetësh. Cilido mëkatar që ende s’ka dhënë ndonjë shpjegim publik për akuza publike dhe ligjore për abuzime, shpërdorime ose trafiqe nuk mund të shpëtojë nga ndëshkimi, duke  bërë aleancë me regjimin e vjetër me shpifje fantastiko-trafikante ndaj organit të akuzës përballë dosjeve të fakteve të mjaftueshme për t’u administruar nga gjykatat.”

Ilir Meta:

“Nuk jemi këtu për të bërë aleanca fluide me askënd, madje një aleancë u bë në këtë Parlament më 24 dhjetor, në rastin e miratimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për 4 ministrat e rinj dhe ishte aleanca e Berishës me ata deputetë socialistë, të cilët bojkotuan seancën e Parlamentit dhe këta nuk kanë të drejtë të akuzojnë shumicën e grupit parlamentar që jo vetëm nuk ka ndërmend të bëjë aleanca të fshehta, por përkundrazi me përgjegjësi të plotë politike dhe morale për votën e 24 qershorit dhe për angazhimin tonë për ta forcuar shtetin e së drejtës dhe jo për ta shndërruar në një shtet të së shtëmbrës dhe në një shtet partiak, do të votojmë për këto arsye për t’i propozuar Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra të zotit Arben Rakipi.

Ne nuk jemi kartona që dikush mund të na trembë me zgjedhjet e parakohshme. Ne jemi deputetë, kemi personalitetin tonë, jemi të votuar shumë herë nga elektorati, prandaj cilido që mendon se mbas 12 vjetësh ka akoma kartona në këtë sallë, duhet ta kuptojë se është 12 vjet mbrapa.”

Pandeli Majko:

“Për zotin Rakipi, më kujtohet një shprehje e një shkrimtari të madh, të cilit kur i thanë se dikush donte ta vriste, u përgjigj shkurt: “Nuk di të kem bërë ndonjë nder”. Në fakt, zoti Rakipi ka bërë shumë ndere dhe sot duhet ta kuptojë se përse shumë do të votojnë kundër tij.”

Në fund të seancës, Arben Rakipi u shkarkua me 78 vota pro, 10 kundër, 5 abstenime. Ky votim konfirmoi se mazhoranca e Fatos Nanos në kuvendine Shqipërisë kishte rënë, pasi përfundoi vetëm me dhjetë vota.

Në vend të Arben Rakipit, prokuror i përgjithshëm u emërua Thodhori Sollaku. U cilësua si figurë konsensuale pasi kishte qënë këshilltar  i Berishës kur ishte President dhe më pas kishte qëndruar në këtë detyrë edhe gjatë presidencës së Rexhep Meidanit.

Shkarkimi Sollakut

Pasi qëndroi pesë vite në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku u shkarkua nga kjo detyrë përmes një komisioni hetimor të ngritur për veprimtarinë e prokurorisë. Pas zgjedhjeve parlamentare te vitit 2005, PD-ja erdhi në pushtet dhe në vitin e dytë të qeverisjes ngriti komision hetimor për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme. Presidenti i athershëm, Alfred Moisiu refuzoi të firmosë shkarkimin e Sollakut nga detyra.

 

Por në vitin 2007, falë edhe një votimi që përçau PS-në dhe nga ana tjetër u quajt si blerje deputetësh, President i Republikës zgjidhet me 3/5-at e deputetëve, Bamir topi numri dy i Partisë Demokratike.

Një ndër vendimet e para të tij, ishte edhe firmosja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, bazuar mbi raportin e komisionit hetimor për veprimtarinë e prokurorisë.

Përmes të njëjtit dekret, Topi emëroi në këtë detyre prokuroren Ina Rama.  Juristja 35 vjeçare,  ishte anëtare e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.

Theodhori Sollaku e ankimoi vendimin e parlamentit në Gjykatën Kushtetuese. Pas shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi antikushtetues vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Sollakut por ashtu siç ndodhi me Rakipin, as Sollaku nuk u kthye në detyrë.

Shkarkimi i Ina Ramës

Me të njëjtin stil, u shkarkua edhe Ina Rama nga posti i Prokurores së Përgjithshme. Shkarkimi erdhi pas acarimit të marrëdhënieve midis Berishës e Topit. Raporti mes kryeministrit të mazhorancës së djathtë dhe presidentit të zgjedhur prej kësaj mazhorance ishte prishur me vendimin e Berishës dhe Ramës për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimet në Kushtetutrë i hoqën shumë kompetenca duke  ia ulur ndjeshëm peshën e pushtetit. Ky moment u pasua me të shumë përplasje mes Topit e Berishës ndër të cilët e më kulminanti është ai i ngjarjeve që pasuan 21 janarin. Kryeministri Berisha dhe mazhoraca, bashkë me aleatin e tij Ilir Meta, e akuzuan Bamir Topin e Ina Ramën si  pjesë e “puçit shtetëror”.

Ndërkohë që vlerësimi i Berishës për Ina Ramën kaloi nga “Silvia Kondi e Shqipërisë” tek një “lavire bulevardi”, shkarkimi i saj nuk do të vononte. Mazhoranca e djathtë e shkarkoi Ina Ramën me motivacionin që ka mbushur mandatin 5-vjeçar në këtë institucion. Në vend të Ina Ramës u zgjodh në krye të Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla. Ai ishte në atë kohë drejtues i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive.

Prej kohës kur ka ardhur në krye të organit të akuzës, Llalla ka dhënë shumë dëshmi të bujshme, por aktet e bujshme nuk kanë qënë aq të shumta. Megjithatë Llalla do të mbahet mend si prokurori që ka arrestuar Guvernatorin e  Bankës së Shqipërisë, akt që u mirëprit nga qytetarët. Janë kryer edhe disa arrestime deputetësh e ish-zyratrësh të niveleve të ulëta në qeverisje. Megjithatë, ende Kryeprokurori nuk është në lartësinë e deklaratave të bujshme që ai ka bërë të tipit: “jemi në një proçes hetimi i cili mund të ndryshojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.”

Në se i referohemi deklaratave të ndërkombëtarëve për kushtet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, parësore është lufta kundër korrupsionit në nvelete e larta. Pikërisht kjo pritej nga Llalla në se do të ndodhte që ky hetim për të cilin tha se kishte nisur, do të përfundonte dhe për pasojë të shkonin para drejtësisë ata zyrtarë të niveleve të larta që kanë shkaktuar këtë nivel galopant korrupsioni që ka përfshirë çdo qelizë të jetës shqiptare.

Ndoshta kjo lidhet me trysninë politike që ushtrohet mbi të ose me pafuqinë e tij e të ekipit që e rrethon për të vepruar. Një shenjë e presionit mund të shihet edhe nga refuzimi i dekretimit  që u ka bërë presidenti Nishani katër prokurorëve që ka emëruar Llalla si pjestarë të Task-Forcës antikorrupsion.

 

 

Lajme te ngjashme