2015: Falimentimi i politikave dhe administrimit fiskal të qeverisë

Nga Karl Kuçi
2015: Falimentimi i politikave dhe administrimit fiskal të qeverisë

Në fund të vitit 2014, ndërsa paraqiti projektbuxhetin 2015, qeveria u angazhua për rritjen e të ardhurave vjetore nga taksat dhe doganat me rreth 34 miliardë lekë, nga të cilat 16 miliardë lekë do të ishin rezultat i rritjes së taksave dhe rreth 18 miliardë rezultat i përmirësimit të administrimit fiskal. Në total, nga 260 miliardë që ksihte mbledhur në vitin 2014, ajo parashikoi të mblidhte 294 miliardë lekë nga tatimet e doganat në vitin 2015.

Në korrik 2015, me anë të një akti normativ, qeveria e uli planin e të ardhurave të pritshme nga tatimet dhe doganat në 272 miliardë lekë, ose plot 22 miliardë lekë më pak se sa kishte parashikuar pak muaj më parë.

Javën e shkuar, qeveria bëri të ditur (në projektbuxhetin 2016) se në fakt ajo parashikon të mbledhë rreth 10 miliardë lekë më pak se sa edhe ky plani i zvogëluar në muajin korrik. Tani, të ardhurat e pritshme nga tatimet dhe doganat në fund të vitit 2015 parashikohen të jenë rreth 262 miliardë lekë ose vetëm 2 miliardë më shumë se viti 2014 (nga 34 miliardë më shumë që ishte parashikuar). E thënë ndryshe, qeveria do të realizojë vetëm 5 përqind të rritjes së të adhurave doganore e tatimore që kishte parashikuar rreth 10 muaj më parë. Në terma reale, (nëse heqim efektin e rritjes së çmimeve) rritja është edhe më e vogël. Nëse llogarisim efektin e rritjes ekonomike, atëhere rezultati i qeverisë në përmirësimin e të ardhurave është pothuajse zero.

Nuk është ekzagjerim të deklarohet që ky është dështim total në zbatimin e politikave fiskale.

Por, fatkeqësisht ai nuk është dështimi më i madh i qeverisë. Dështimi më i madh është dështimi politikës së rritjes së taksave. Të dhënat e qeverisë në projektbuxhetin 2016, konfirmojnë një fakt të rëndësishëm: taksat e rritura nga qeveria Rama nuk kanë prodhuar rezultatin e pritshëm me të cilin u justifikua rritja e tyre.

Efekti në rritjen e të ardhurave i këtyre taksave është ose minimal ose negativ, edhe pse taksat u rritën. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale në fund të vitit 2015 pritet të jenë në të njejtin nivel me atë të vitit 2013. Kjo do të thotë që madje të ardhurat reale janë ulur pas prezantimit të taksës progresive.

Situata nuk është më e mirë as për efektin e rritjes me 50 përqind (nga 10 në 15 përqind) së tatimit të fitimit të kompanive. Efekti i rritjes është fare minimal, më pak se 6 milionë euro.

Të imponosh rritje taksash të cilat nuk sjellin rritje të ardhurash është dështimi më i madh i një politike fiskale. Madje pak qeveri kanë provuar dështime të tilla. Qeveria shqiptare ka hyrë kështu në ato pak raste botërore.

Lajme te ngjashme