Ankthi vetëshkatërrues i Ramës

Nga Bilbo

Një sëri aksionesh të vrullshme, vetëdëmtuese dhë përfundimisht idiote, përveçse kanë nxjerrë në pah një sërë zgjedhjesh minimalisht të pavenda në poste të larta të administratës, po i tregojnë qytetarëve shqiptarë se qeveria e tyre, megjithëse e zgjedhur nga ta dhe e rivotuar gjërësisht në zgjedhjet vendore, është futur tashmë në një seri situatash politike prej të cilave nuk mund të dalë dot pa kosto të mëdha politike e morale.

Nëse analizojmë me kujdes kohën dhe mënyrën e çdo gjëje që ka ndodhur, kuptojmë se nuk bëhet fjalë për një apo dy aksidente të pafat, por për një dështim të vërtetë të strategjisë të qeverisë.

Fitorja bindëse elektorale në zgjedhjet vendore e PS-së e fshehu për pak kohë tentativën e fshehtë për t’ia futur aleatit qeverisës në zonat elektorale ku garuan kandidatët e tij. Por përpjekja për të mos paguar asnjë çmim politik për këtë tradhëti, duke refuzuar me çdo kusht riorganizimin e qeverisë, përkoi me rënien e ndjeshme të të ardhurave fiskale si pasojë e një politike ideologjike të aplikuar në mënyrë klienteliste.

Për të ndalur rëniet e të ardhurave në buxhet dhe për të mos pranuar që ka gabuar, qeveria është hedhur së fundmi në një operacion të madh kundër informalitetit përmes ndryshimeve të proçedurës tatimore (me të famshmet supergjoba që hynë në fuqi para pak ditësh) dhe ndryshimeve të Kodit Penal për krimet fiskale duke i kërcënuar me burg të gjithë.

Në të njejtën kohë, arroganca e qeverisë gjermane për diskutimin e origjinës së emigrantëve, e cila përkoi në kohë me akuzat ndaj Ministrit Tahiri për lidhje me trafikun e drogës – të hedhura poshtë me arrogancë nga Kryeministri duke shpifur për një zyrtar të lartë italian direkt në televizion – që mpleksen me diskutimet për dekriminalizimin e parlamentit dhe me faktet e fundit kompromentuese për disa deputetë të shumicës, të gjitha tregojnë një nivel nervozizmi, tashmë, të dalë jashtë kontrollit.

Lajmet shqetësuese të tenderave dhe konçesioneve dhënë miqve e klientëve të zakonshëm, shpërndarja e fondeve të një buxheti anemik për palma, kulla, strehëza, kërpurdha, xhaguarë e zyra luksi nga Kryeministria tek OSHEE, ngjarja e Lagunës Blu apo lejet e ndërtimit në Parkun e Tiranës, morën si përgjigje krijimin e faqes, tashmë të famshme, Transparenca.al, në të cilin qeveria furnizon argumenta të tjerë për zemërimin e opozitës dhe njerëzve të thjeshtë.

Kësaj situate, Kryeministri Rama u përpoq t’i përgjigjet, duke luftuar simptomën e jo sëmundjen, me një atentat të vërtetë ndaj lirisë së shprehjes dhe të medias përmes një ndryshimi në kodin penal, të miratuar në fshehtësi nga qeveria, të formuluar në atë mënyrë që t’i bënte të qartë të gjithëve se qeveria është e gatshme të përdorë edhe policinë për t’i mbyllur gojën medias.

I vetëdijësuar për gabimin politik me pasoja dhe për ta ndrequr atë, Kryeministri bëri menjëherë gabimin e rradhës, edhe më të rëndë, duke deklaruar nxitimthi se objektivi i projektligjit nuk ishte shtypi, por opozita politike, e cila, tashmë, do duhet të mbyllë gojën ose të përfundojë në burg.

Një ndihmesë e pabesueshme për opozitën dhe për aleatin e armiqësuar në qeverisje, të cilët do të kenë një motiv më shumë për të ribashkëpunuar, të paktën për këtë çështje, ndoshta duke bllokuar edhe proçesin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi.

Tashmë duhet vetëm vrulli në zbatimin e supergjobave për të garantuar vazhdimin e rënies së ekonomisë dhe rrjedhimisht të të ardhurave dhe vitin tjetër Shqipëria mund të thyejë të gjitha rekordet botërore të aplikimit për llotarinë amerikane.

Lajme te ngjashme