Grabitja finale

Nga Bilbo

Kur në vitin 1999, kampi i Mbrojtjes Civile Italiane, Arcobaleno, në Vlorë po plaçkitej nga shqiptarët, opinioni publik italian u indinjua për një shprehje të kapur në kamera, e cila u transmetua dhe ritransmetua qindra herë në televizionet italiane “Merr ç’të mundesh dhe ja mbathim”. Këto fjalë u thanë nga një prej punëtorve italianë që ndodheshin në kamp, referuar sendeve personale, por ishin ilustrimi perfekt i një situate plaçkitje që kishte dalë jashtë çdo kontrolli.

“Merr ç’të mundesh dhe ja mbathim” është rikthyer në refrenin e situatës së ditëve të fundit: një grusht oligarkësh dhe autokratësh, duke kuptuar vështirësinë në të cilën ndodhet qeveria, po nxitojnë të mbledhin shpërblimet për nderet që i kanë bërë dhe po i bëjnë Kryeministrit Rama e qeverisë së tij.

Dikush duke marre një leje për një pallat 13 katësh në hyrje të parkut në rrugën e Elbasanit, e cila do të shoqërohet së shpejti me një leje për një ndërtim të dytë, tek hyrja e parkut në ambjentet e Gardës; dikush një subvencion të përjetshëm nga paratë publike për biznesin universitar përmes një ligj arsimi të hartuar nga vetë dikushi; dikush një konçension për një shërbim të mistershëm e të panevojshëm shëndetësor të analizave bazike për qytetarët më të shëndetshëm; dikush një ndërtim buzë detit në plazhin e lakmuar të Qerretit; dikush një blerje masive makinash luksoze për qeverinë; dikush një koncension për hekurudhën Fier-Vlorë; dikush një tender për shërbimet e dializës; dikush kontrata për çdo ndërtim të mundshëm publik.

Të gjitha po rrëmbejnë ç’të munden para se t’ja mbathin… për në oborrin e sundimtarit të rradhës.

Oligarkët shqiptarë kanë fuqinë e mediave dhe të parave për të qenë “bindës” në çdo situatë. Për më tepër ata japin justifikime jo normale për zgjedhjet që bëjnë, falë përmasave ekonomike të kompanive të tyre, përmasa të krijuara falë lojës së vazhdueshme në përkrahje të palës që është në fuqi, lojë që ju ka lejuar të mos paguajnë borxhet private dhe bankare, taksat, energjinë e për me tepër edhe rrogat.

Ndërkohë pjesa tjetër e ekonomisë se vendit, bizneset e vogla që përbëjnë mbi 99 përqind të të gjitha bizneseve, friksohen dhe kërcënohen me propozime ligjesh penale që kurrë nuk do aplikoheshin mbi oligarkët e mësipërm, një pjesë e të cilëve i sheh në krah të Kryeministrit në vizita luksoze në Vienë, Mynih, Frankfurt, Hong Kong, Romë…

Oligarkët marrin atë që munden dhe ja mbathin, dhe vendi, gjithmonë edhe më i dhunuar, inatoset për ditë e më shumë dhe… ja mbath edhe ai për ku të mundet në mërgim.

Lajme te ngjashme