Po shkonim në Gjermani, tani do të shkojmë në Francë

Nga Bilbo
Po shkonim në Gjermani, tani do të shkojmë në Francë

Prej kohësh, mijëra emigrantë sirianë dhe të vendeve të prekura nga luftrat e ISIS, e shumë të tjerë nga vendet e Afrikës po vdesin në Detin Mesdhe duke u përpjekur të arrijnë Evropën. Bota preket nga këto ngjarje, por Evropa, me Francën në krye, nuk i kanë ofruar pothuajse asnjë lloj ndihme Italisë e Greqisë të cilat duhet të përballojnë vetë fluksin e emigrantëve dhe ndihmën humanitare për ta. Por pas disa fundosjesh, ngjarje të tilla nuk janë më lajm.

Më 30 tetor, 224 persona vdiqën nga shpërthimi i një bombë të vendosur në një avion që transportonte turistë rusë që ktheheshin nga Sharlm el Sheik, përgjegjësinë e të cilës e mori ISIS. Rusët dhe egjiptianët kërkuan të minimizojnë lajmin dhe të përjashtojnë hipotezën e një atentati. Lajmi kaloi shpejt në nivel të dytë dhe u harrua.

Në datën 12 nëntor, 41 persona vdiqën në rrugët e Beirutit të vrarë nga atentatorë vetvrasës të ISIS. Vetëm pak reshta dhe asnjë koment në media.

Por në datën 13 nëntor, 129 persona vdiqën në Paris në një seri atentatesh të organizuara nga ISIS. Menjëherë, kanalet televizive u mbushën me imazhet e flamurit tri ngjyrësh francez, të projektuar mbi çdo pallat të rëndësishëm të botës perëndimore, midis të cilëve dhe fasada italiane e Kryeministrisë në Tiranë, për të thënë të vërtetën, e shpërfytyruar nga një xhungë plastike e shitur me shumë guxim si vepër arti franceze.

Opinionistë të shumtë nxituan të dalin nëpër kanalet televizive për të bërë pjesën e tyre: nuk është parë asnjëherë më parë të qëllohen njerëzit e thjeshtë ndërsa pijnë një birrë. Të gjithë me qëllimin për të theksuar apokalipsin – që bota nuk do jetë më e njejtë si më parë – por mbi të gjitha me qëllimin për ta thënë me tone më tragjike se parafolësi, për t’u dukur, për t’u cituar, për të marrë një pjesë të lavdisë së ngjarjes së madhe. Në një kor të madh, duke kërkuar fillimin e një kryqëzate të re, duke hipotezuar luftra dhe koalicione, ndërhyrje nga toka e pushtime.

Së shpejti, do të shohim një manifestim tjetër për t’u solidarizuar me Francën, me shumë kryetarë shtetesh e qeverish, të njohur për respektin e pakët për të drejtat e njeriut, duke marshuar së bashku përpara telekamerave, mbase përsëri me tre lapsat në xhep ose me ndonjë ide tjetër për t’u dukur, ashtu siç bëjnë yjet e kinemasë nëpër festivale.

Dhe ne, që nuk arrijmë të jemi perëndimorë, ne që festojmë ardhjen e Papës duke valëvitur kapele elegante sikur të ishim në në shpalljen e fituesve  në garat Ascot të kuajve, përgatitemi për të na ardhur keq, por jo për 250 mijë sirianët e vdekur deri tani, as për ata të vdekur mbi gomone siç vdisnin dikur të afëmit tanë.

Sepse neve nuk na intereson realiteti jonë; po shkonim në Gjermani, tani do shkojmë në Francë.

Lajme te ngjashme