Rama, Cani & Co dhe metoda Parmalat

Nga Bilbo

Na ishte një herë një zotëri italian i quajtur Calisto Tanzi, industrialist në sektorin e prodhimeve. Ai ishte aq shumë i zoti sa kompania e tij Parmalat rritej e bëhej për ditë e më e famshme.

Çdo tre muaj, Zoti Tanzi dilte në konferencë për shtyp e lajmëronte mbarëvajtjen e produkteve të tij. I deklaronte botës se shitjet e qumshtit u rritën me 25 për qind, ato të konservave të domateve me 30 përqind, ato të ëmblësirave dhe me 40 përqind, ato të lëngjeve të frutave 28 përqind e kështu me radhë.

Konkurrenca ziente nga xhelozia. Tregu i produkteve ushqimore rritej vetëm 2 -3 përqind në vit, por Zoti Tanzi çdo pak muaj hapte një fabrikë të re; blinte një avion të ri; blinte skuadër Formula 1-shi apo lojtarë të mëdhenj futbolli – Buffonin, Cannavaron, Zolan, Veronin, Crespon e të tjerë; sponsorizonte në shuma të mëdha restaurimin e ndonjë kishe të famshme; blinte stacione televizive apo gazeta me anë të së cilave mbështeste partinë në pushtet, që si shpërblim i jepte financime të mëdha publike për të blerë ndonjë kompani që ishte në prag falimentimi, por që kishte një numër të madh punëtorësh votues.

Kishte raste kur ndokush guxonte të thoshte diçka, por menjëherë Tanzi, ose më mirë gazetat e tij, e shpallnin kritikën sulm politik dhe i hidhnin poshtë akuzat si të dala nga goja e komunistëve xhelozë ndaj kapitalizmit të suksesshëm.

Erdhi një moment kur bankat italiane nuk arrinin dot të përmbushnin nevojat për financim të kësaj kompanie gjithmonë e më të madhe. Ndaj Zoti Tanzi iu drejtua bursës e tregjeve ndërkombëtare; emetoi bonde me ndihmën e bankave të mëdha si Bank of America, Morgan Stanley apo Deutsche Bank, të cilat nga biznesi me të përfitonin komisione shumë më të larta se normalet e nxirrnin fitime të kripura.

Sot Zoti Tanzi po i kalon ditët e fundit të jetës në burg. Karriera e tij si sipërmarrës solli në falimentin më të madh në historinë e Europës: 14 miliardë euro borxh që kompania i groposi bashkë me falimentimin e saj.

Pak më shumë se borxhi aktual i qeverisë shqiptare. Në fakt “teknologjia” Tanzi e pasurimit mbetet një nga më të kopjuarat në botë, në veçanti në Shqipëri.

Sekreti i Tanzit ishte i thjeshtë: merr borxh, gjithmonë e më shumë borxh për të blerë ndikimin mbi politikën dhe bankat, falë televizioneve dhe gazetave; paguaj borxhet duke marrë një borxh edhe më të madh; paguaj komisione gjithnjë e më të lartë për të krijuar besueshmëri, duke i dhënë rëndësi përmasave më shumë sesa shëndetit ekonomik, duke justifikuar gjithçka me një rritje që nuk ekziston.

Ç’lidhje kanë Rama dhe Cani me këtë histori? Të njejtën lidhje që kanë edhe biznesmenët shqiptarë që rëndom njihen në publik me emrat e tyre të shkurtuar me përkëdheli: kampionët e zhytur në borxhe të kapitalizmit shqiptar.

 

Lajme te ngjashme